Luleshtrydhe me mente për një pasdite të freskët

exit.al 3 Prill 2020, 09:39

Këto ditë në treg kanë filluar luleshtrydhet apo dredhëzat. Ato akoma nuk janë në shijen e tyre maksimale prandaj JaMystic ju propozon një recetë që e nxjerr në pah esencën e tyre: Luleshtrydhe me mente

Pak histori

Luleshtrydhja, në latinisht "fragaria" e merr emrin nga parfumi i saj i veçantë. Origjina e saj mendohen Alpet ku ajo ende gjendet akoma në gjendje të egër. Zogjtë shtegtarë e kanë përhapur atë në të gjitha kontinentet në të cilat ajo u zhvillua e përshtatur me klimat përkatëse.

Luleshtrydhja është konsumuar që në antikitet dhe romakët bënin me të maska bukurie.

Versioni më i madh i luleshtrydhes erdhi në Europë nga shekulli XVIII nga një spiun francez i dërguar nga mbreti në Kili.

Aty ai zbuloi se luleshtrydhet e asaj zone ishin më pulpoze dhe me shumë aromë. Në udhëtimin e tij të fundit ai solli disa rrënjë të cilat dhanë sot falë klimës oqeanike dhe tokës argjilore luleshtydhen me famë atë të Plugastel-it.

Luleshtrydhet janë të pasura në vitaminë C 67,4mg/ 100g fibra si dhe vitaminë B9.

Receta jonë sot do të bëhet me luleshtrydhe Fieri.

Luleshtrydhe me mente

Për shumë persona:

1kg luleshtrydhe Fieri

4 lugë sheqer

4 portokalle

4-5 degë mente

Lajmë dhe presim në copa luleshtrydhet. Shtrydhim 4 portokallet dhe i hedhim lëngun mbi luleshtrydhet si dhe sheqerin.

I përziejmë me lugë dhe i lëmë 4 orë në frigorifer. Para se t'i shërbejmë i hedhim gjethet e mentes të cilat i japin një ndjenjë freskie.

JaMystic këshillon.

Kjo recetë mund të bëhet edhe me pjeshkë.