Opozita, sikurse në rastin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, këmbëngul se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet të zgjidhen me shumicë dy të tretat. Komisioni i Venecias rithekson se të dyja zgjidhjet do të ishin legjitime; sidoqoftë, për të shmangur paralizën politike, që ka shumë gjasa të ndodhë në rastin e një pragu të lartë, ligjbërësi mund të konsiderojë sisteme të tjera alternative të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Pavarur të Kualifikimit dhe të gjykatësve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit.”
Sikurse shihet, pika 61 thekson faktin se formula e zgjedhjes së anëtarëve me shumicë të kualifikuar—qoftë 2/3 apo 3/5— me gjasa do të çojë në ngërç parlamentar, pasi shumica të tilla parlamentare nuk arrihen dot lehtë. Për ketë arsye, sugjerohet gjetja e ndonjë modeli tjetër të zgjedhjes së anëtarëve. Pika 88 e oponionit shprehet:Nëse palët në procesin politik nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për të zgjedhur anëtarët jashtë sistemit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Këshillit të Lartë Prokurorisë, Këshillit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, ata mund të zgjedhin një sistem të përpjesshëm i cili garanton përfaqësimin e opozitës në këto organe kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes. (Vazhdimi i pikës 88 flet për tjetër çështje.)
Praktikisht pika 88, këshillon se shqetësimi i ngritur në pikën 61, mund të zgjidhet me anë të:- një sistemi të përpjesshëm zgjedhjeje, i cili garanton që një pjesë e anëtarëve do të zgjidhen nga propozimet e opozitës; ose
- çfarëdo modeli tjetër, i cili i garanton opozitës një farë ndikimi në zgjedhje.
Sa i përket metodës së zgjedhjes së anëtarëve jashtë sistemit, një sërë zgjidhjesh të tjera janë të mundshme dhe Parlamenti mund të konsiderojë opsione të tjera, domethënë përfaqësimin de facto të përpjesshëm në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.
Pika 17, sikurse ajo 88, përdor termin po “proportionate” dhe jo “proportional” duke nënkuptuar ndarjen paraprake të vendeve mes shumicës dhe pakicës. Kjo gjë shtjellohet më tej përmes ilustrimeve në shënimin sqarues të Pikës 17, në të cilin propozohen dy metoda të mundshme proporcionale të votimit, si më poshtë:[Ç]do deputeti mund t’i jepet e drejta për të votuar vetëm për një nga pesë kandidaturat, që do të thotë se opozita duke përqëndruar votat e saj në zgjedhjen e një apo dy kandidatëve, mund t sigurojë përfaqësim brenda Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, ndërsa shumica do të mbështesë tre kandidatët e tjerë. Në këtë skenar, ndërsa opozita nuk do të ketë fuqi bllokuese brenda KLGJ-së, ajo do të ketë të drejta të caktuara proceduriale dhe prania e saj në KLGJ do të sigurojë transparencën e punës së Këshillit.
Një model tjetër i zgjedhjes është krijimi i dy listave alternative të kandidatëve — një nga koalicioni qeverisës dhe një nga opozita. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do t’i rendisë kandidatët dhe t’ja u cojë të dyja listat Kuvendit, i cili pastaj do të zgjedhë tre kandidatë nga “lista e shumciës” dhe dy nga “lista e opozitës”, në të dy rastet me shumicë 3/5 të votave.
Metoda e propozuar në paragrafin e dytë më sipër, pjesë e pikës 17, është qartësisht "metoda e vendeve të rezervuara" në formën e propozuar nga PD—pra, zgjedhjen e tre anëtarë nga lista e propozimeve të shumicës dhe dy anëtarëve të tjerë nga lista e pakicës (pika b më sipër). Pikërisht, kjo lloj ndarje “tre me dy”, apo në një raport tjetër të përshtatshëm, është ajo që Komisioni i referohet si “proportionate” edhe në pikën 88 dhe që Partia Demokratike i referohet si modeli i “vendeve të rezervuara”. Në përmbledhje, është e qartë se Komisioni i Venecias ka rekomanduar si një ndër opsionet kryesore të zgjedhjes nga Kuvendi së anëtarëve të organeve të drejtësisë, pikërisht, zgjedhjen nga lista të veçanta me propozimet e shumicës dhe pakicës, sipas raporti të përshtatshëmë të përcaktuar parapraksit, përfshi atë 3 me 2. Në letrën e Ambasadorit Lu, nën një kre të titulluar "sistemet proporcionale" përmenden disa propozime të sistemeve të tilla:“Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional…
Në fakt, ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshi votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve do të ishte tërësisht në përputhje me Komisionin e Venecias.”
Në fakt, metoda Condorset dhe ajo e balotazhit të menjëhershëm janë sisteme maxhoritare dhe jo proporcionale, si të tilla ato nuk mund të zbatohen pasi prodhojnë vetëm rezultatet që kërkon shumica. Nga ana tjetër jane sisteme të pavolitshme nga pikëpamja praktike për t’u zbatuar në rastin konkret—prandaj përdoren rallë në kontekste të ngjashme në botë. Përtej diskutimit teknik, Ambasadori Lu ka të drejtë në një pikë tjetër është thelbësore: zvarritja e deritanishme e reformës është bërë për shkak të mungesës së vullnetit politik mes palëve për t'u ulur në mënyrë të sinqertë dhe për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme. Sikurse ka theksuar disa në Opinionin e tij Komisioni i Venecias zgjidhje teknike ideale nuk ka: çdo gjë do varet nga vullneti i ligjbërësit dhe i klasës politike në përgjithësi. Shpërndaje te miqtë
