
68 653 shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2025. Mijëra të tjerë morën leje qëndrimi në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe vende të tjera të botës.
Në fund të vitit 2025, mbi 875 mijë shqiptarë kishin leje qëndrimi në BE.
Këtu nuk përfshihen dhjetëra mijëra emigrantë të paregjistruar apo ata që nuk kanë marrë ende status të rregullt qëndrimi.
Nuk përfshihen as qindra mijë shqiptarët që tashmë kanë marrë shtetësinë e një vendi të BE-së, pasi ata llogariten si nënshtetas të vendit përkatës.
Ajo që e bën më dramatike këtë migrimi masiv është përbërja e që largohen.
Mosha mesatare e shqiptarëve që morën leje qëndrimi për herë të parë në BE gjatë vitit 2025 ishte rreth 27,8 vjeç. Rreth 76% e tyre ishin nën 40 vjeç.
Ata që largohen janë kryesisht nga grupet më të gjalla të shoqërisë: të rinjtë, profesionistët, intelektualët, sipërmarrësit.
Kjo nuk është vetëm dramë demografike, por edhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë, financave publike dhe zhvillimit të vendit.
Pyetja kryesore që shtrohet tashmë është: kush do ta mbajë ekonomikisht shoqërinë dhe shtetin që ata po lënë pas?
Kjo pyetje bëhet edhe më e mprehtë për faktin se qeveria ka ndërtuar një paradoks të rrezikshëm: ndërsa popullsia është zvogëluar ndjeshëm, sektori shtetëror është zgjeruar po aq ndjeshëm.
Në vitin 2013, Shqipëria kishte rreth 163 mijë të punësuar në sektorin shtetëror, ndërsa sot numërohen mbi 185 mijë — nga afërsisht 57 punonjës shtetërorë për çdo një mijë banorë në 77 punonjës për një mijë banorë.
Pra, punësimet në sektorin shtetëror janë rritur me mbi 35% në raport me popullsinë.
Për më tepër, kjo rritje ka ndodhur kur popullsia në moshë pune është tkurrur dhe qeveria ka shpenzuar qindra milionë euro për digjitalizimin e shërbimeve apo për kontrata koncesionare.
Teorikisht, më pak qytetarë, më shumë shërbime digjitale dhe më shumë kontrata private për shërbime publike duhet të sillnin një administratë më të vogël.
Pra, nga njëra anë kemi largimin masiv të të rinjve, njerëzve në moshë pune, profesionistëve dhe familjeve që kërkojnë autonomi ekonomike dhe, nga ana tjetër, rritjen e varësisë nga punësimi në shtet të atyre që mbeten.
Sa më shumë njerëz të pavarur nga shteti largohen, aq më e madhe bëhet pesha e atyre që varen nga paga publike, pensioni, ndihma ekonomike apo kontratat shtetërore.
Sa më shumë zgjerohet kjo varësi, aq më i lehtë bëhet kontrolli politik i shoqërisë.
Sigurisht, jo çdo punonjës shtetëror voton për partinë në pushtet.
Por, në një vend me institucione të dobëta, pasiguri ekonomike dhe administratë të politizuar, punësimi në shtet krijon varësi nga shteti për shkak të mungesës së mundësive të tjera.
Kjo varësi rrit koston personale të kundërshtimit dhe krijon një shtet klientelist. Prandaj, emigrimi dhe klientelizmi shtetëror nuk janë dy probleme të ndara. Ato ushqejnë njëri-tjetrin.
Sa më klientelist bëhet shteti, aq më pak konkurruese, meritokratike dhe shpresëdhënëse bëhet ekonomia, duke shtyrë drejt largimit një valë të re qytetarësh.
Krijohet kështu një rreth vicioz, ku emigrimi zvogëlon shoqërinë e pavarur; zvogëlimi i shoqërisë së pavarur forcon shtetin klientelist; shteti klientelist prodhon më shumë emigrim.
Shqipëria po humbet kështu “zërin”, qytetarët që ngrenë zërin për të kundërshtuar. Në vend të “zërit”, qytetarët zgjedhin “daljen”, largimin nga vendi.
Kur qytetari nuk beson se mund ta ndryshojë sistemin, ai nuk proteston më kundër tij, por largohet prej tij.
Nga këndvështrimi i pushtetit, kjo mund të duket përkohësisht e leverdishme. Ikën i pakënaquri, pakësohet kundërshtimi dhe rritet pesha relative e votuesit të varur.
Për më tepër, emigranti vazhdon të sjellë remitanca, të financojë konsumin, ndërsa shteti nuk ka më detyrimin t’i sigurojë atij drejtpërdrejt arsim, shëndetësi apo shërbime të tjera publike.
Por ajo që mund të jetë e dobishme për mbijetesën e një qeverie sot është shkatërruese për mbijetesën afatgjatë të shtetit.
Klientelizmi i partisë-shtet ka nevojë për financim. Pagat shtetërore, kontratat publike, koncesionet, tenderët, subvencionet selektive, ndërmarrjet publike dhe favoret administrative nuk paguhen nga Partia Socialiste, por nga taksat e qytetarëve.
Por taksat në Shqipëri varen ndjeshëm nga konsumi.
Në vitin 2025, të ardhurat buxhetore erdhën rreth 30% nga TVSH-ja, rreth 20% nga kontributet shoqërore, rreth 11% nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe rreth 9% nga akcizat; pjesa tjetër erdhi nga taksat dhe të ardhurat e tjera.
Pra, katër burimet më të mëdha të të ardhurave buxhetore — TVSH-ja, kontributet shoqërore, tatimi mbi pagën dhe akcizat — sigurojnë gati 71% të të ardhurave totale buxhetore.
Të katërta varen ndjeshëm nga numri i banorëve, punësimi, pagat dhe konsumi, prandaj preken drejtpërdrejt nga emigrimi dhe plakja e popullsisë.
Çfarë ndodh kur konsumatori 28-vjeçar largohet në Gjermani?
Shqipëria humbet jo vetëm një njeri produktiv, por edhe një kontribuues në skemën e pensioneve dhe një pagues taksash. Shqipëria ka financuar një pjesë të kostos së rritjes dhe aftësimit të tij — shkollimit dhe përvojës së punës — ndërsa vendi ku ai emigron merr frytet e këtij investimi dhe vitet më produktive të jetës së tij.
Largimi i të rinjve e godet sistemin e pensioneve në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë, zvogëlon numrin e kontribuuesve, ndërsa, nga ana tjetër, përshpejton plakjen relative të popullsisë së mbetur.
Pra, kemi gjithnjë e më pak njerëz që paguajnë kontribute dhe gjithnjë e më shumë njerëz që presin pensione, kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale.
Edhe sot, skema e pensioneve nuk mbahet vetëm nga kontributet, por subvencionohet nga buxheti.
Nëse baza e kontribuuesve vazhdon të tkurret, shteti do të përballet me disa alternativa të pakëndshme: ose do të rrisë kontributet dhe taksat, do të marrë më shumë borxh, do të kufizojë përfitimet, do të shtyjë moshën e pensionit ose do të importojë fuqi punëtore.
Nuk mund të kesh pafundësisht më shumë administratë me më pak qytetarë; më shumë pensionistë me më pak kontribuues; më shumë kontrata publike me më pak tatimpagues; më shumë konsum me më pak familje; dhe më shumë pushtet politik të mbështetur mbi një ekonomi që humbet kapitalin e vet njerëzor.
Prandaj, shifrat e largimit të shqiptarëve drejt vendeve të tjera duhet të jenë këmbanë alarmi. Vetëm në vitin 2025, drejt BE-së kanë emigruar aq shqiptarë sa banorë ka Berati apo Korça — pra, praktikisht, vendit i ka ikur një qytet i tërë.
Dhe çështja nuk është vetëm se po ikin shumë shqiptarë, por edhe rreziku i falimentimit të një shteti klientelist që shumëfishon klientët besnikë, ndërsa dëbon tatimpaguesit që paguajnë faturën.
Shpërndaje te miqtë
