Kush mund të jetë presidenti i ardhshëm i Parlamentit Evropian?

exit.al 3 Tetor 2021, 16:04

Parlamenti Evropian po përgatitet për një garë të fortë kandidatësh për postin e presidentit, në zgjedhjet e 17 janarit.

Një garë që dikur shihej si e paracaktuar, papritmas është hapur, nga pandemia, lëvizjet e brendshme dhe zgjedhjet e fundit gjermane.

Deri më tani, asnjë kandidat nuk është deklaruar zyrtarisht, por manovrat e brendshme kanë filluar.

Katër kandidatë po diskutohen për postin e presidentit të ardhshëm.

David Sassoli

Presidenti aktual i Parlamentit Europian, David Sassoli pritet të kandidojë për një mandat të dytë.

Sassoli, një socialdemokrat italian, u bë president i Parlamentit në vitin 2019 si pjesë e një marrëveshjeje të gjerë për të përfunduar vendet kryesore të punës në BE. Sipas marrëveshjes, Sassoli pritej të mos rikandidonte kur të mbaronte mandati i tij, në mënyrë që një konservator të merrte detyrën.

Por emri që pritej të pasonte Sassolin, Manfred Weber ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për postin e presidentit të PE.

Sassoli u zgjodh eurodeputet në 2009, ndërsa më parë punonte si gazetar televiziv. Nëse kandidatura e tij zyrtarizohet ai pritet të marrë mbështetje nga grupi i socialdemokratëve në PE, grupi i dytë më i madh.

Roberta Metsola

Metsola mund të mos e ketë shpallur publikisht kandidaturën e saj, por llogaria e saj në Twitter flet vetë.

Një ish-avokate dhe e diplomuar në Kolegjin e Evropës, Metsola, 42 vjeç, është një produkt i botës së Brukselit. Ajo shërbeu si atashe ligjore në zyrën e BE-së në Maltë nga viti 2004 deri në 2012, dhe si këshilltare ligjore e Catherine Ashton, ish-diplomatja kryesore e BE-së.

E zgjedhur për herë të parë në Parlamentin Evropian në 2013, Metsola u bë një nga deputetet e para femra të Maltës, si dhe një nga njerëzit kryesorë të Partisë Popullore Europiane dhe PE për migracionin.

Megjithatë, disa eurodeputetë, përfshirë disa në grupin e saj të PPE, pranuan se të kesh një president nga Malta - një vend me vetëm gjashtë eurodeputetë - është disavantazh. Presidentët e parlamentit shpesh kanë ardhur nga vendet e mëdha të BE -së si Gjermania ose Franca, ose nga një prej vendeve themeluese të bllokut si Holanda.

Esther de Lange

Me një karrierë të gjatë në partinë holandeze Demokristiane, CDA, de Lange, 46 vjeç, u zgjodh si eurodeputete në 2007.

Si anëtare e komitetit të Parlamentit për mjedisin, ajo u përfshi në hartimin e pozicionit të PPE për ndryshimin e klimës, gjë që kritikët e quajtën si tepër të paqartë. Ajo gjithashtu mbeshteti fuqishëm presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kur ajo i paraqiti Parlamentit Marrëveshjen e Gjelbër, një propozim për të eleminuar emetimet e karbonit në BE deri në vitin 2050.

Esteban González Pons

Një ish-senator spanjoll nga Valencia dhe anëtari i  Partisë Popullore konservatore të Spanjës (PP), González Pons ka qenë prej kohësh numri 2 i grupit të PPE pas Weber.

I zgjedhur në Parlamentin Evropian në 2014, Gonzáles Pons është i njohur për oratorinë e tij.

Megjithatë, babai 57-vjeçar i tre fëmijëve ka dërguar sinjale se nuk po kërkon presidencën.

Gonzalez Pons i tha shtypit spanjoll kohët e fundit se PPE duhet të gjejë një "kandidat konsensual", duke nënkuptuar se nuk do të ishte ai. Dhe i pyetur për ambiciet e tij personale në një takim të fundit të grupit të PPE në Romë, González Pons nuk përjashtoi një kandidaturë përfundimtare presidenciale, por tha se tani nuk ishte "momenti i duhur".

Megjithatë, nëse Gonzalez Pons vendos të kandidojë, pengesa e tij më e madhe mund të jetë eurodeputetja Iratxe Garcia, rivalja e tij socialiste spanjolle e cila drejton grupin S&D të Parlamentit.

Garcia e ka bërë të qartë se nuk do të mbështeste asnjë kandidat nga PP.

Kushdo që fiton do të ngarkohet me një detyrë të vështirë: Të mbajë së bashku një asamble gjithnjë e më të përçarë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit 2024.