Rreth 45 persona u shpëtuan nga rrënojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Kontribut të paçmueshëm për gjetjen e dhjetëra prej tyre dhanë qentë e trajnuar për kërkim-shpëtim.
Tanda, Inu, Dharma, Farhana dhe labradori Gizmo janë 5 prej heronjve me katër putra që gjetën shumë fatkeqë nën rrënoja. Ata janë të moshës 3 deri 8 vjeç, pjesë e ekipit kroat me 9 qenë të kërkim-shpëtimit, të cilët erdhën në Shqipëri rreth 10 orë pas rënies së tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Richter.
[caption id="attachment_64254" align="alignnone" width="1920"]
Skuadra kroate HOUPP në Tiranë.[/caption]
Secili prej tyre ka nga një guidë të trajnuar me ta që kur ishin këlyshë, çka do të thotë se programi i trajnimit ka dhjetëra vite që vazhdon.
Shoqata Kroate e Trajnimit të Qenve të Kërkim-Shpëtimit (HOUPP) ka 15 ekipe aktive dhe është pjesë e Organizatës Botërore IRO e trajnuar veçanërisht për kërkime në zonat urbane në rastet e fatkeqësive natyrore. Në Kroaci ka edhe dy organizata të tjera të trajnuara për kërkim-shpëtime në male.
[caption id="attachment_64251" align="alignnone" width="1920"]
Inu duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënoja, skuadra kroate HOUPP.[/caption]
Nash, Bosco, Lobo Grande dhe Jaffa janë ekipi tjetër i heronjve me katër putra. Ata janë pjesë e ekipit zviceran të kërkim-shpëtimit REDOG, që udhëtuan menjëherë gjatë mesditës së 26 nëntorit për të kërkuar për fatkeqët që ishin zënë nën rrënoja në Durrës.
Ekipet e HOUPP dhe REDOG ishin ato që dalluan në punën e vështirë për gjetjen e fatkeqëve të tërmeteve në Durrës dhe Thumanë. Nuhatja e stërvitur e qenëve bënte të mundur identifikimin dhe lokalizimin e fatkeqëve. Falë tyre aksioni i kërkim-shpëtimit përqendrohej aty ku duhej. Në këtë mënyrë nuk humbej më shumë kohë.
[caption id="attachment_64252" align="alignnone" width="1920"]
Lobo Grande duke kërkuar për fatkeqë nën rrënoja në Durrës, skuadra zvicerane REDOG.[/caption]
Shqipëria nuk ka repart të specializuar për kërkim-shpëtim në situata emergjencash dhe aq më shumë ekipe me qenë të trajnuar. Ardhja e skuadrave HOUPP dhe REDOG ndikoi që bilanci i viktimave të mos ishte edhe më shumë i rëndë.
