Të zgjedhurit e partisë e dinin fort mirë që unë dhe Nardi [bashkëshorti] nuk ishim militatë dhe nuk votonim për ta.
Artikulli më tej theksonte se çifti "tani jeton larg nga politika". Është ironike që kjo grua e mirëarsimuar tani u përzgjodhë për të intepretuar një pjesë propagande që kishte për qëllim të përlotëte sytë e ish-komunistëve më të rreptë, të pranishëm në "Parlamentin e Parë Rural të Shqipërisë". Në vetvete, fjalimi i saj ishte i padurueshëm për t’u ndjekur deri në fund me gjithë anti-pathosin e tij. Zëri i Rigerta Lokut, i dridhur që në fjalët e para nga emocioni, i zgjaste pauzat sikur të imitonte vetë fjalën e Edi Ramës. Përmbajtja e fjalimit—ende po debatohet nëse ajo e kishte shkruar vetë apo jo atë—ai ishte një jehonë e fortë e fjalëve të Udhëheqësit: dëgjimi i njerëzve të thjeshtë (me qëllim flagrant për të maskuar keqqeverisjen e tij):Jam shumë e emocionuar, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë. Ndjej që do iki prapë në provincën time dhe pesha dhe përgjegjësia do bjerë mbi këta deputetë.
Nuk dihet nëse deputetët të cilëve iu drejtua Loku e kanë ndjerë ndonjëherë peshën e asaj foltoreje, e cila përdoret nga shumica dhe opozita për debate nga më të pakuptimtat, por Zonja Loku përdori disa fraza për të sinjalizuar se ajo ishte tashmë në anën e PS: "Shqipëria evropiane" (aleanca zgjedhore e PS u quajt "Aleanca për një Shqipëri Evropiane"), "rilindje" (përsëri një fjalë kyçe në diskursin politik të PS) dhe " Shqipëria do të bëhet". Në minutat e para të fjalimit, Loku e bëri të qartë se ajo nuk ishte më "larg politikës", por më tepër në qendër të saj. Në disa momente, Rigerta Loku dukej më shumë si një shenjtore që po përhapte një mesazh të shenjtë, për shembull në fjalinë e saj të zgjatur: "në fshat gjithashtu mbijetojnë esencat e mrekullueshme të një jetë të vështirë" dhe lutja e saj për “ato fshatra ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën më fantastike të mundshme". E shenjtë ndoshta, por fetishiste dhe perverse në të njëjtën kohë. Momente të tjera fjalimi i saj i ngjante një fjalimi të sërës së lartë, duke kaluar nga frazat e lartësuara në zhargonin burokratik. Përqendrimi i vazhdueshëm i Lokut tek "fshati" u kthye ngadalë në një mantra, në të cilën duket se gjithçka që është e mirë vjen nga zonat e thella rurale të Shqipërisë, ndërsa burokratët e këqinj të elitës janë të qytetit—me fjalë të tjera, një variant i temës "bashkëqeverisje me njerëzit e thjeshtë":Le të vishemi bukur sa të duam, të prodhojmë këpucë, biçikleta, industri, makina, avionë, sa të duam ne, por pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë! Zhvillimi i vjen Shqipërisë nga periferia! Nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo nga Tirana juaj zhvillohet Mirdita ime!
Ejani ta shikoni! Ejani në fshat! […] Do ju lutesha të mos vini me një makinë të vogël, por të vini me fuoristradë, sepse në fshatra, sidomos ato që nuk janë në akset rrugorë kryesorë, nuk shkon dot makina. E atje ku nuk shkon makina, nuk shkon asgjë. Nuk shkon as jeta! Fshatrat, sidomos ata të strukurit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhënë zhvillim! Nuk kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë!
Kristina është një bashkëfshatare e imja. Dhe po ti thoni Kristinës çfarë do ti që shteti të të japë ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë dhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina. Nuk i kërkon asgjë shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. Ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase.”
"Njerëzit e thjeshtë" në fshat, pra, nuk kërkojnë asgjë nga shteti, sepse ata kanë "dinjitetin" e tyre. Ata kërkojnë vetëm ujë dhe rrugë. Ata nuk kërkojnë energji elektrike, mundësi të barabarta, punësim, pensione, sigurime shoqërore ose mirëqeverisje. Ata nuk interesohen për shkatërrimin e mjedisit, krimin e organizuar, apo ndotjen e ujërave, për korrupsionin apo keqadministrimin. "Njerëzit e thjeshtë", "fshatarët"—ndryshe nga njerëzit mosmirënjohës të qytetit—pyesin vetëm për ujë dhe rrugë, kujdes shëndetësor efikas dhe ndonjë shkollë. Sa të volitshme si kërkesa, sepse të gjitha këto mund të arrihen shumë kollaj me anë të partneriteteve publiko-private (PPP). Fundi i fjalimit të Zonjës Loku të kujtonte sjelljen e njerëzve të palodhur, punëtorë të fshatit, e shpalosur aq shpesh nga djali i qytetit Erion Veliaj: punë, jo fjalë.Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe e shumë punë. Të fortë e optimist […].
Fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë. Ne atje në fshat punojmë me dorën e djathtë e këmbën e djathtë, por zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, e nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilin është zgjedhur të bëjë duhet që secili prej organeve të bëjë funksionin që i përket.
Shqetësimi ynë për fjalimin e Rigerta Lokut duhet të përqëndrohet më pak tek përmbajtja, e cila ishte e thatë dhe e parashikueshme, e më shumë tek forma me të cilën ai na u servir. Fjalimi i Lokut tregoi vitalitetin e atij modeli të vjetër të retorikës politike: fermeri i thjeshtë që i thotë të vërtetën në sy politikës, fshatari i mençur që i tregon politikanit vendin e tij. Fshatari që nuk kërkon shumë, domethënë pikërisht aq sa i ofron udhëheqësi bujar. Fshatari i ndjeshëm që ngre zërin, por nuk kritikon. Fshatari apolitik, që në fakt është më politiku i të gjithëve. Rikthimi i kësaj retorike në parlament, pikërisht në këto momente, duhet marrë si shenjë paralajmëruese. Sepse së bashku me formën e vjetër të retorikës vijnë edhe format e politikës së vjetër. Shpërndaje te miqtë
