Johnson: Britania nuk ka ndaluar eksportin e vaksinave

exit.al 10 Mars 2021, 16:42

Kryeministri britanik, Boris Johnson, hodhi poshtë pohimet e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, se Britania i ka ndaluar eksportet e vaksinave kundër koronavirusit.

Michel tha të martën se “Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalesa të plota mbi eksportin e vaksinave ose të përbërësve të vaksinave, që prodhohen në vendet e tyre”.

Johnson u përgjigj se Britania e kundërshton nacionalizmin mbi vaksinat “në të gjitha format e tij”.

Duke iu drejtuar Parlamentit britanik, Johnson tha:“Ne mund të jemi krenarë për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë përgjigjes ndërkombëtare kundër koronavirusit. Andaj, dua t’i korrigjoj sugjerimet e presidentit të Këshillit Evropian se Mbretëria e Bashkuar i ka bllokuar eksportet e vaksinave.

Më lejoni të jem i qartë: ne nuk kemi bllokuar eksportin e asnjë vaksine e as të përbërësve të vaksinave”, shtoi ai.

Autoritetet britanike thirrën të mërkurën një zyrtar të Zyrës së Jashtme të BE-së, për të shpjeguar deklaratat e Michelit.

Përplasjet vijnë në një kohë kur udhëheqësit evropianë akuzohen për shpërndarje të ngadalshme të vaksinave.

BE-ja është përballur me probleme furnizimi me prodhuesit Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Oxford/AstraZeneca.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, më shumë se 22.5 milionë njerëz - rreth një e treta e popullsisë - kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

 

Shpërndaje te miqtë