Kronika/ 2 aksidente automobilistike, 7 të arrestuar për shpërndarje droge

exit.al 27 Shtator 2020, 13:30

Policia e shtetit ka arrestuar në të gjithë vendin 7 persona për vepra të ndryshme kriminale, dhe ka sekuestruar 11 kilogramë kanabis. Gjithashtu, policia njofton dhe plagosjen e dy personave pasi u përplasën nga makina të ndryshme. Sipas njoftimit të policisë: Dy persona u plagosën sot, në Tiranë si pasojë e aksidenteve automobilistike. Policia e Tiranë njoftoi se:

Një 70 vjeçar u plagos pasi u përplas nga një makinë, në rrugën “21 Dhjetori”, në Tiranë. 70 vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Një 10 vjeçar u plagos në mesditë, pasi u përplas nga një makinë në Bulevardin “Gjergj Fishta”, në Tiranë.

Gjashtë persona u arrestuan nga policia e Tiranës, Vlorës, Krujës dhe Kavajës për kultivim dhe trafik të kanabisit. Kështu:

Dy persona u arrestuan nga Policia e Krujës për kultivim kanabisi. Ata ishin shpallur në kërkim disa kohë më parë nga Gjykata e Krujës.

U sekuestruan 11 kilogramë kanabis dhe u arrestuan dy persona nga Policia e Vlorës. Personat akuzohen për kultivim dhe trafik të kanabisit.

Një 30 vjeçar u arrestua sot në Tiranë për shpërndarje kanabisi.

Një 46 vjeçar u arrestua nga policia e Kavajës, me akuzën e grabitjes së tre banesave në qytet dhe shpërndarjen e kanabisit.

Policia kufitare e Qaf Thanës arrestoi një 35-vjeçar maqedonas, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore kroate, për veprat penale “grup i strukturuar kriminal” dhe “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Ndërsa, policia e Durrësit njoftoi se në një banesë në Durrës ka rënë zjarr duke shkaktuar dëme materiale.