Krimi përzë nga Shqipëria një investitor të madh

exit.al 20 Shtator 2016, 12:45

Biznesmenit Fadi Mitri, i dhunuar pak ditë më parë, do të tërhiqet nga investimi për ndërtimin e rezortit turistik 450 milionë dollarësh në gjirin e Lalëzit.

Me anë të një deklarate për median, Jamal Abu Issa, drejtuesi i Omnix Albania, shprehet se investimi do të punësonte deri në 1200 njerëz u rrënua nga sulmi barbar ndaj Zotit Mitri, në 10 shtator.

“Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë,” vazhdon më tej deklarata e kompanisë.

Në Lalëz, kompania do të ndërtonte një resort turistik me një hotel me pesë yje dhe disa ambiente të tjera për dyqane,bare, restorante e ambiente të tjera. "OMNIX Albania shpk" e mori lejen e ndërtim nga qeveria Rama në korrik të 2016-ës.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi e përdori këtë investim për të propaganduar arritjet e qeverisë. Pas vendimit, Zoti Peleshi u shpreh se “Vetëm në një resort të miratuar sot, vlera e investimit shkon në mbi 150 milion euro.”

Biznesmeni libanezo-amerikan u dhunua nga tre persona, 10 ditë më parë. Sipas policisë, motivi i sulmit ishte konflikti mbi pronësinë për tokën në Gjirin e Lalzit.

Deri më tani njëri prej të dyshuarve është arrestur, ndërsa policia po kërkon ende dy të tjerët.

 

Shpërndaje te miqtë