Krimi dhe korrupsioni mbeten rrezik për çeljen e negociatave

exit.al 5 Shkurt 2020, 21:55

Komisioni Europian prezantoi sot metodologjinë e reformimit të procesit te zgjerimit në mënyrë që të bëhet më i besueshëm (kliko këtu për të lexuar pikat kryesore). Megjithatë metodologjia e re duket se nuk e largon skepticizmin ndaj reformave të qeverisë shqiptare. Top-Channel raportoi duke cituar burime të saja diplomatike se Holanda pret të shohë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“[…] Na duhet të shohim progres të qënësishëm në terren e në mënyrë specifike për Shqipërinë në luftën me krimin e organizuar dhe korrupsionin.Komisioni Europian do të raportojë për këtë së shpëjti. Holanda është duke e pritur këtë raport.”

Sidoqoftë Top-Channel thotë se Holanda i ka mirëpritur propozimet për reformimin e procesit integrues ku kërkohet më shumë llogaridhënie për sa i përket reformave në drejtësi, administratën publike dhe ekonomi. “Progresi në fushën e shtetit ligjor do të jetë vendimtar për shpejtësinë e këtij procesi. Kjo garanton që vendet kandidate nuk anëtarsohen deri kur demokracia funksionale do të jetë solide në këto vende” u shprehën burime diplomatike për Top-Channel duke theksuar se integrimi duhet siguruar vetëm kur ka tregues konkretë të zhvillimit.