Kremlini gati të përdorë më shumë forcë për të shpërndarë protestat

exit.al 4 Shkurt 2021, 20:00

Kremlini beson se mund të largojë lehtësisht protestat në të gjithë vendin mbi arrestimin dhe burgosjen e opozitarit Alexei Navalny dhe është gati të shtojë dhunën ndaj protestuesve nëse është e nevojshme, raporton Reuters.

"Kjo është vetëm një nxehje," tha burimi pranë Kremlinit mbi përgjigjen e policisë për Reuters.

“Aventurat e vërteta vijnë më vonë. Një skenar ku ne shohim një reagim gjithnjë e më të fuqishëm në të gjithë vendin është plotësisht realist”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov tha të enjten se policia kishte përdorur masa të ashpra por ligjore. Sipas tij protestat ishin të paligjshme dhe i konsideroi ato si sulme.

Të dy burimet përmendën për Reuters rastet e protestave në Bjellorusi, ku Presidenti Alexander Lukashenko, me mbështetjen e Moskës, i ka rezistuar me sukses muajve të protestave.

Ata përmendën gjithashtu Venezuelën, ku Presidenti Nicolas Maduro i ka mbijetuar trazirave serioze. Burimet i thanë Retuers së Kremlini është në një pozitë më të fortë se Venezuela apo Bjellosuria, prandaj nuk ka pse të frikësohet nga protestat.

“Skenari i testuar në Bjellorusi u tregua efektiv. Ata (Kremlini) nuk do të bien në gjunjë. Lukashenko e mbajti. Maduro është mirë. Dhe ajo që kemi në rrugët tona është shumë larg asaj që kishin”, tha njëri prej burimeve, raporton Retuers.

Burimi i dytë tha se situata socio-ekonomike në Rusi, e cila është përkeqësuar për shkak të pandemisë, nuk ishte aq keq sa e Venezuelës dhe se Rusia ishte e dominuar nga një shumicë konservatore që nuk donte ndryshim.

"Kremlini nuk ka frikë", tha burimi i dytë.

“Bjellorusia ka treguar se regjimet shtypëse kanë aftësi të mëdha. Venezuela e tregon këtë, dhe njerëzit atje janë vërtet të uritur - nuk ka paga, papunësi të tmerrshme dhe krim. Nuk ka asgjë nga këto në Rusi".

Navalny u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, vendim i cili ka nxitur protesta në të gjithë Rusinë.

Mijëra protestues janë arrestuar, disa nga aleatët kryesorë të Navalny janë në arrest shtëpiak ose jashtë Rusisë. Policia ka përdorur taktika gjithnjë e më të ashpra, duke goditur protestuesit dhe në disa raste edhe gazetarët.

Shpërndaje te miqtë