Koronavirusi prek futbollin, ndeshje pa tifozë në Champions League dhe Europa League

exit.al 9 Mars 2020, 17:31

UEFA ka vendosur të mos pezullojë ndeshjet e programuara për Champions League dhe Europa League.

Ajo ka ndaluar shtrëngimin e duarve mes lojtarëve e arbitrave dhe në vendet ku ka përhapje të virusit takimet do të zhvillohen pa tifozë.

Ndeshjet Valencia-Atalanta, Paris Saint Germain-Borussia Dortmund, Barcelona-Napoli dhe Juventus-Lyon, të vlefshme për fazën me eliminim direkt në UEFA Champions League do të zhvillohen pa tifozë.

Ky është lajm i keq për PSG dhe Valencian, të cilat duhet të përmbysin rezultatet 2-1 dhe 4-1 të ndeshjeve të vajtjes, pa mbështetjen e tifozëve të tyre. Po kështu ndeshja Inter-Getafe në Europa League do të luhet pa tifozë.

Edhe në Gjermani situata është e njëjtë. Zyrtarisht nuk ka një vendim, por Ministri gjerman i Shëndetësisë ka bërë thirrje për ndalim të grumbullimeve me mbi 1 mijë njerëz, çka mund të nxisë që përballja me Chelsea-in të jetë pa tifozë.

Platforma të njohura televizive si BT Sports apo Sky po mendojnë t’i transmetojnë falas ndeshjet e futbollit për ato sfida që do të luhen pa tifozë.

Situata duket shqetësuese për sportin. Në Itali fundjava kaloi me mjaft polemika pasi shoqata e futbollistëve kërkoi ndërprerjen e kampionatit.

Ndërkohë më 26 mars zhvillohen 8 ndeshjet e fundit kualifikuese për në kampionatin Evropian që nis zyrtarisht në qershor.

Megjithëse UEFA është shprehur e qetë se çdo gjë do të vazhdojë sipas planeve, duket e vështirë që ndeshjet të luhen qetë, duke pasur parasysh se do të kërkohet që skuadrat të udhëtojnë në vende të tjera.

Njësoj në mëdyshje mbetet edhe vetë organizimi i Euro 2020, që ndryshe nga çdo herë do të zhvillohet në 12 shtete, diçka që shton rrezikun e përhapjes së koronavirusit.

Nëse situata do të rëndohet, UEFA pritet të vendosë pezullimin e Euro 2020.