"Politika po bëhet pjesë e garës universitare. Kjo është dëshpëruese. Ky është një proces që nuk shpëton dot nga ndërhyrjet politike. Kjo që ka ndodhur është një njollë e këtij procesi. Ky proces është njollosur për sa kohë kemi kërcënime të pedagogëve. […] I kërkoj policisë dhe prokurorisë ta zbardhin. Nëse është një e vërtet të zbardhet nëse është një sajesë të zbardhet."
Ndërsa pyetjes direkt të Ora News për kërcënimet ndaj rivalit të saj, Zonja Dibra iu përgjigj:“Unë jam e shokuar nga çfarë është thënë. Në qoftë se një pedagog kërcënohet për të marrë pjesë në fushatën e kandidatëve, në qoftë se një kandidat kërcënohet me vendin e punës. Në qoftë se një student kërcënohet për të fotografuar votën, një qoftë se një student i premtohet se do të japin provimin, për mua është kërcënimi më i ndyrë. Edhe nëpërmjet deklaratës që dje kam shpërndarë medieve jemi distancuar nga ajo që ka ndodhur.
I kërkojmë organeve kompetente që të ndërhyjnë dhe të mos përzihen në zgjedhjet në universitet. Nuk munden që të hyjmë në këto kanale që u vjen erë e keqe. I bëj thirrje Konit që të dalë publikisht për të mbrojtur veten. Për fat të keq, politika po ndërhyn dhe me sa duket ende si shoqëri kemi problemet tona në kultivimin e qytetarisë.”
Duket se kështu gara për rektorin e Universitetit të Tiranës është kthyer në nje dramë absurde dhe të turpshme. Nga njëra anë, një kandidat denoncon tek një politikan e jo në polici se u kërcënua me rrëmbimin e të birit nga një kriminel i njohur. Nga ana tjetër, rivalja e tij —në vend ta dënojë këtë akt direkt, pa asnjë mëdyshje, pa i përzgjedhur fjalët—lë të nënkuptohet se kërcënimi i pretenduar për rrëmbim të familjes nga një kriminel është i njejtë me kërcënimet e pretenduara të rivalit ndaj pedagogëve dhe studentëve për votë. Nga njëra anë, kemi një kandidate të bindur se ajo është e pavarur nga politika, e cila sulmon ashpër ndërhyrjen e politikës në universitet, por që harron se para pak muajsh ka bërë fushatë për Partinë Socialiste dhe është e zgjedhur politike socialiste; por edhe një pedagoge e mirë shkolluar, e cila u bën ballë presioneve të kundërshtarit të saj për të marrë vota, duke bërë sikur i dënon kërcënimet ndaj tij të një krimineli, por duke lënë të nënkuptohet se në mendimin e saj rivali është i të njejtës kategori me kriminelin. Nga ana tjetër, kemi një rektor në fund të detyrës, i njohur qartësisht si njeri i një partie politike, i cili përdor peshën dhe ndikimin e tij në favor të një kandidati në garë, ndërsa vetë kandidati nga ana e tij shfrytëzon privilegjet e dekanit për të ndaluar dhe sabotuar në çdo mënyrë fushatën elektorale të rivales së tij. Këta janë kandidatët për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm arsimor në vend? Ky nivel i turpshëm është fytyra e akademisë sonë? Besojmë se studentë, profesorë dhe qytetarë të kenë të njejtën dëshirë që kemi dhe ne: të dy këta kandidatë për rektorë të tërhiqen nga gara dhe të zhduken për gjithmonë nga lajmet; me shpresën se në Universitetin e Tiranës kanë mbetur akoma pedagogë të vërtetë, pa lidhje politike, të armatosur vetëm me dëshirën për të drejtuar me aftësi dhe ndershmëri universitetin, jo si një qendër pushteti, por si një burim i vërtet dijesh dhe institucion i përgatitjes së një klasë drejtuesish të përgjegjëshëm që mund të ndërtojnë demokracinë në këtë vend. Shpërndaje te miqtë
