Basti miliarda euro: Iluzioni se milionerët e botës mezi po presin të shpërngulen në Shqipëri

Adri Nurellari 10 Shtator 2026, 09:56

Basti miliarda euro: Iluzioni se milionerët e botës mezi po presin
Në Shqipëri po ndërtohet një tjetër përrallë ekonomike.

Resortet, vilat luksoze dhe marinat po paraqiten si investime që milionerët e Europës dhe të botës mezi po presin t’i blejnë.

Ne po ndërtojmë me një vrull sikur dikush na ka dhënë garanci se, pas pak vitesh, drejt bregdetit tonë do të dynden shtresat më të pasura të botës.

Platforma “Kush e zotëron bregdetin shqiptar” ka identifikuar 252 vendime për projekte të lidhura me turizmin në bregdet gjatë periudhës 2015–2026. Janë mbi 1,3 milionë metra katrorë territor dhe afërsisht 5,5 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi që kanë marrë leje ndërtimi në bregdet në këtë periudhë.

Këto ndërtime — apartamente, vila dhe resorte — janë jashtë fuqisë blerëse të qytetarëve shqiptarë. Ata më të pasurit kanë blerë një pjesë të madhe të ndërtimeve të deritanishme. Të tjerët nuk do të munden.

Pa llogaritur faktin që emigracioni masiv vazhdon me ritme të larta dhe ka përfshirë tashmë shtresën e mesme dhe atë të mirëqenë ekonomikisht. Kjo do ta ulë edhe më tej fuqinë blerëse vendase.

Diaspora mund të vazhdojë të blejë edhe për pak kohë, por edhe fuqia e saj blerëse ka një tavan. Pa shtuar këtu faktin se logjika investuese dhe preferencat e diasporës, për shkak edhe të integrimit gjithnjë e më të madh në vendet e reja, nuk mund ta mbajnë gjallë kërkesën pafundësisht.

Në këto kushte, basti i madh mbi të cilin duket se mbështetet bumi i ndërtimit masiv të banesave luksoze apo të cilësisë së lartë është vërshimi i të huajve të pasur drejt nesh.

Por lind pyetja: pse duhet që të huajt e pasur të blejnë pikërisht pronat tona?

Problemi që ne ndeshim nuk është nëse një milioner i huaj ka gjysmë milioni apo një milion euro për të blerë një apartament ose vilë në rivierën shqiptare.

Problemi është si do ta tërheqim që këto para t’i shpenzojë tek ne dhe jo në Greqi, Itali, Kroaci, Spanjë, Portugali, Qipro, Maltë apo Mal të Zi.

Milionerët e botës kanë shumë mundësi dhe alternativa dhe, pikërisht për këtë arsye, janë edhe më përzgjedhës.

Kur ke mundësinë të blesh kudo, nuk zgjedh vetëm luksin e ndërtesës, por edhe vendin ku ndodhet ajo.

Henley & Partners, një firmë këshillimi për migrimin e njerëzve të pasur, raporton se në vitin 2025 u zhvendosën ndërkombëtarisht rreth 142 mijë milionerë.

Pra, në nivel botëror, bëhet fjalë për një grup relativisht të vogël, por gjithashtu jashtëzakonisht të kërkuar dhe me mundësi për të zgjedhur mes shumë vendeve.

Çfarë zgjodhën ata në vitin 2025?

Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë Dubain, patën një fluks neto prej rreth 9 800 milionerësh. SHBA-ja pati 7 500 milionerë, Italia 3 600, Zvicra 3 000, Arabia Saudite 2 400, Singapori 1 600, Portugalia 1 400 dhe Greqia vetëm 1 200.

Krahasimi me Greqinë është domethënës, sepse bëhet fjalë për një vend anëtar të BE-së, me rreth 16 mijë kilometra vijë bregdetare, rreth 6 000 ishuj, një industri turistike ndër më të zhvilluarat në botë dhe një treg pronash të konsoliduar prej dekadash. Greqia ka edhe programin e vizave të arta për të tërhequr të huajt përmes investimeve.

Me gjithë këto avantazhe, ajo tërhoqi neto vetëm rreth 1 200 milionerë në vitin 2025.

Ndërkohë, në këtë vit, në Shqipëri u dhanë 1 158 leje për ndërtesa të reja, me mbi 1,3 milionë m² sipërfaqe ndërtimi.

Vetëm kompleksi Durrës Yachts & Marina parashikon rreth 12 mijë banesa luksoze.

Pyetja elementare është: ku do t’i gjejmë milionerët që do të përthithin këtë vërshim të ofertës së ndërtimit luksoz në të gjithë Shqipërinë?

Për më tepër, sikurse tregojnë analizat e Henley & Partners, ata para së gjithash peshojnë stabilitetin institucional dhe politik, sigurinë juridike dhe rregullatore, sigurinë personale, taksimin dhe mbrojtjen e pasurisë, cilësinë e shëndetësisë, arsimin për fëmijët, klimën dhe mjedisin, si edhe mundësitë për investime.

Milioneri nuk blen vetëm pronën, por “blen” edhe rendin dhe ligjin, shërbimet, kulturën dhe kushtet shoqërore.

Janë pikërisht këta faktorë në të cilët Shqipëria paraqitet dobët dhe është pak tërheqëse.

Në vlerësimin “Kuadri Global i Lëvizshmërisë së Pasurisë 2026”, Henley & Partners ka matur konkurrueshmërinë e vendeve për të tërhequr dhe mbajtur individët me pasuri të lartë dhe kapitalin e tyre.

Fatkeqësisht, Shqipëria nuk është përfshirë fare mes vendeve europiane të vlerësuara, për shkak të konkurrueshmërisë së ulët, ndërkohë që Mali i Zi dhe Serbia janë pjesë e listës.

Por, nëse do të shihnim të dhëna të tjera mbi treguesit që individët e pasur vlerësojnë kur vendosin për blerjen e pasurive të patundshme dhe zhvendosjen në vende të tjera, do të vërenim se Shqipëria ka konkurrueshmëri të dobët.

Në vitin 2025, në Indeksin e Sundimit të Ligjit Shqipëria renditej e 87-ta nga 143 vende; në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, e 91-ta nga 182 vende; në Indeksin Ndërkombëtar të të Drejtave të Pronësisë, e 71-ta nga 126 vende.

Për një të huaj që po mendon të investojë miliona euro në një vend, këta tregues ngrenë pyetje shumë konkrete:

Nëse kam një konflikt pronësie, sa i sigurt jam se prona ime do të mbrohet?

Nëse ortaku nuk respekton kontratën, sa shpejt dhe sa drejt funksionon gjykata?

Nëse ndryshon qeveria, sa të qëndrueshme mbeten rregullat?

Në mënyrë paradoksale, ne po përpiqemi të tërheqim të huajt duke u shitur prona luksoze dhe të shtrenjta, ndërkohë që mbrojtja e pronës në Shqipëri është ndër më të dobëtat në botë.

Ka edhe një faktor tjetër të rëndësishëm në tërheqjen e kapitalit dhe të individëve të huaj: reputacioni ndërkombëtar i vendit.

Në Indeksin Global të Fuqisë së Butë 2026 të Brand Finance, Shqipëria renditet vetëm e 102-ta në botë.

Mund të ndërtosh një apartament me standardin ndërtimor të Monakos, por reputacioni i Monakos nuk vjen nga cilësia e betonit.

Ndërkohë, shtrenjtimi i jashtëzakonshëm i pasurive të patundshme, sidomos i atyre në vendet më të kërkuara, ka krijuar një disavantazh të madh për Shqipërinë.

Ndërsa çmimet e pronave të nivelit të lartë në Shqipëri afrohen me ato të destinacioneve shumë më të konsoliduara, konkurrueshmëria e Shqipërisë ulet.

Për të njëjtin çmim ose për një çmim të krahasueshëm, një i huaj preferon të blejë në Spanjë, Itali, Kroaci apo vende të tjera të BE-së, ku faktorët e tjerë janë shumë më tërheqës se në Shqipëri.

Pra, atje ku ka sundim më të fortë të ligjit, infrastrukturë më të zhvilluar, spitale dhe shkolla më cilësore.

Në momentin që humbet avantazhi i çmimit, Shqipërisë i duhet të konkurrojë pikërisht në ato fusha ku hendeku me rivalët e saj është shumë më i madh.

Kjo është arsyeja pse konkurrenca e vërtetë e ofertës sonë nuk është mes Dhërmiut dhe Jalës, por mes Shqipërisë dhe mbarë vendeve të tjera, të cilat nuk shesin vetëm diell dhe apartamente.

Dhe këtu qëndron ndoshta paradoksi më i madh i gjithë kësaj strategjie: ne po përpiqemi t’ua shesim të huajve, si destinacion për të jetuar, një vend nga i cili vetë shqiptarët po largohen masivisht.

Sepse, po të funksiononte mjedisi qeverisës, shoqëror dhe ekonomik në Shqipëri, sfida jonë e parë nuk do të ishte të sillnim milionerët e botës, por të mbanim qytetarët tanë.

Prandaj, basti i madh me kullat, resortet dhe marinat luksoze rrezikon të lërë pas një vijë bregdetare të betonizuar dhe me ndërtesa bosh, të paarritshme për qytetarët vendas dhe të refuzuara nga elita e huaj.

Vendi më tërheqës për milionerët është, para së gjithash, një vend ku qytetarët e tij ndihen të sigurt dhe duan të jetojnë.

 

Shpërndaje te miqtë