Inspektorati i Punës nis hetimin ndaj AlbChrome për shkarkimin nga puna të minatorëve

exit.al 24 Dhjetor 2019, 13:19

Inspektorati Shtetëror i Punës ka nisur hetim administrativ për kompaninë Albchrome, për shkarkimin nga puna të krerëve të sindikatës së minatorëve të minierës së kromit në Bulqizë. Lajmi u bë publik nga Zëri i Amerikës, i cili në bashkëpunim me rrjetin ballkanik të gazetarisë investigative, BIRN ka pyetur ISHP-në në lidhje me shkarkimin e krerëve të sindikatës. Sipas Zërit të Amerikës:

“Nëpërmjet një deklarate me shkrim, Inspektoriati i tha BIRN se ka nisur hetimet për shkelje të kodit të punës dhe ndërhyrje të kompanisë në veprimtaritë sindikale.”

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u themelua në tetor 2019 nga 39 minatorë. Në krye të saj u vendos Elton Debreshi, ndërsa si anëtar i Këshillit dhe përgjegjës për financat u vendos Beqir Duriqi. Pak kohë pas themelimit të SMBB-së, më 22 nëntor, kompania Albchrome shkarkoi nga puna në minierë Elton Debreshin, për shkak të ‘thyerjes së disiplinës gjatë punës’. SMBB e quajti shkarkimin e tij si të padrejtë e të paligjshëm, dhe deklaroi se “thyerja e disiplinës” ka ndodhur disa muaj më parë, por kompania ishte kujtuar tani ta shkarkonte Debreshin si sulm dhe frikësim ndaj sindikatës. Më 3 dhjetor, kompania ‘Albchrome’ shkarkoi nga puna dhe minatorin Beqir Duriqi. Edhe për këtë shkarkim, sindikata reagoi dhe e quajti të lidhur direkt me angazhimin e minatorëve për të advokuar të drejtat e tyre. E pyetur nga BIRN, AlbChrome mohoi që shkarkimet apo thirrjet e punonjësve të tjerë për të shmangur shkeljet e etikës kishin të bënin me themelimin e sindikatës.