Holanda dhe Çekia njoftojnë mbyllje për 1 muaj

exit.al 14 Dhjetor 2020, 22:20

Holanda dhe Republika Çeke do të shtojnë masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së pandemisë duke ndjekur kështu shembullin e Gjermanisë, raporton The Guardian.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se dyqanet, bizneset që nuk kanë rëndësi jetike, palestrat, muzetë, kinematë dhe teatrot do të mbyllen për pesë javë pasi mesatarja javore e rasteve u rrit me më shumë se 40% në javën e kaluar.

Baret dhe restorantet në Hollandë janë mbyllur që nga mesi i Tetorit, por bllokimi i pjesshëm nuk e ka ngadalësuar përhapjen e virusit, tha Rutte.

Kreu i qeverisë nxiti njerëzit të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi dhe bëri me dije ata mund të ftojnë maksimumi dy persona në ditë, përveç 24-26 dhjetorit kur do të lejohen 3, duke përjashtuar fëmijët nën 13 vjeç.

Shkollat ​​do të mbyllen nga e Mërkura, shtoi ai , dhe masat do të zgjasnin deri më 19 janar.

Në Republikën Çeke do të mbyllen restorantet, hotelet dhe hapsirat e mbyllura sportive tha kryeministri, Andrej Babiš.

Ai shtoi se nuk do të lejohen të mblidhen më shumë se 6 persona brenda dhe jashtë shtëpive.

Vendi do të hyjë në shtetrrethim nga ora 11:00 e natës deri në 5 të mëngjesit dhe pushimet e shkollave do të nisin më herët.

Më herët, Gjermania ka njoftuar se do të mbyllë dyqanet dhe shkollat për rreth një muaj.

Shpërndaje te miqtë