Haga kundërshton kërkesën për lirimin e Kadri Veselit nga paraburgimi

exit.al 30 Prill 2021, 21:41

Kadri Veseli, ish-drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, do të vazhdojë të qendrojë në paraburgim në Hagë.

Gjykata Speciale hodhi poshtë kërkesën e tij për lirim me kusht, ne vendim e marrë sot, 30 prill. Gjykata la në fuqi vendimin e marrë nga prokurori special në janar 2021. Argumentet e Prokurorisë Speciale ishin të njëjtat me vendimin e gjykatës:

Aty thuhet se ai është i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, andaj lirimi i tij nga paraburgimi mund të jetë rrezik për arratisjen e tij.

Më 11 nëntor, ish-kreu i PDK Kadri Veseli hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga gjykata speciale e Hagës për krime gjatë luftës së Kosovës.

Akuzat që rëndojnë mbi Veselin janë:

  • Përndjekje, krim kundër njerëzimit;
  • Burgosje, krim kundër njerëzimit;
  • Ndalim arbitrar, krim lufte;
  • Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit;
  • Trajtim mizor, krim lufte;
  • Torturë, krim kundër njerëzimit;
  • Torturë si krim lufte;
  • Vrasje, krim kundër njerëzimit;
  • Vrasje e paligjshme si krim lufte;
  • Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit.

Sipas prokurorisë, veprat e pretenduara janë kryer midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Rexhepi u arrestuan në filimit të nëntorit, për akuzat e krimeve ndaj njerëzimit në vitet e pas luftës së Kosovës. Ata gjenden në paraburgim në Hagë.