Më tej në artikull bëhet e ditur se:
Me mbështetjen e OJQ-ve në alpet shqiptare, banorët e luginës së Valbonës i janë drejtuar gjykatës në përpjekje për të përmbysur një vendim që miraton ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë. Pas Vjosës dhe hidrocentralit të Poçemit, kjo është e dyta çështje e madhe mjedisore që i drejtohet gjykatës.
Të martën, 27 banorë nga Rrogami, Valbona, Dragobia dhe Çeremi së bashku me OJQ-në Toka dhe lidhjen Të Shpëtojmë Alpet Shqiptare paraqitën në gjykatën administrative të Tiranës një padi.
Padia i kërkon gjykatës të anulojë kontratat për dy hidrocentralet që janë në proces ndërtimi në atë që përcaktohet si park kombëtar.
Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996. Por pak kohë më parë, qeveria dha me koncesion ndërtimin e 11 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj. Pothuaj të gjitha familjet që jetojnë pranë luginës së Valbonës kanë investuar në aktivitete lidhur me turizmin. Për ta, ndërtimi i hidrocentraleve do të thotë humbja e bizneseve dhe të ardhurave. Seanca tjetër gjyqësore do të zhvillohet në 14 qershor. Qytetarët e Valbonës u shprehën pozitivë se gjykata do të japë vendimin e duhur për kërkesën e tyre.
