Gjykata e Krimit të Organizuar rrëzon SPAK: Të vazhdojë hetimi për gjyqtarët e Dritan Dajtit

exit.al 6 Janar 2020, 16:39

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes së tre gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli, të cilët pranuan gjykim të shkurtuar për Dritan Dajtin.

Tre gjyqtarët ndryshuan vendimin për Dritan Dajtin nga 4 burgime të përjetshëm në 25 vite burg për vrasjes e 4 policëve në Durrës në vitin 2009.

Gjyqtarja Miljana Muça i kërkoi SPAK të rihetojë tre gjyqtarët të akuzuar për shpërdorim detyre.

Paraditen e sotme, SPAK dërgoi në gjykatë kërkesën për të pushuar çështjen kundër tre gjyqtarëve me argumentimin se akuzat për korrupsion ndaj tre gjyqtarëve nuk u provuan, ndaj nuk ka vepër penale.

Në shkurt 2019, trupa prej pesë gjyqtarësh e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda pranoi më shumicë votash kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar dhe ia uli atij dënimin nga 4 burgime të përjetshëm në 25 vite burg.

Pak ditë pas vendimit, policia ushtroi kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të çështjes Dajti. Sipas policisë, kontrolli erdhi si pasojë e informacioneve se gjyqtarët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dhënë një vendim në kundërshtim me ligjin. Në banesën e gjyqtarit Skënder Damini policia gjeti  armë, municione dhe 20 mijë euro.