Gjykata e Apelit në Moskë hedh poshtë ankimin e Navalny-t

exit.al 20 Shkurt 2021, 11:04

Gjykata e Apelit të Moskës ka hedhur poshtë ankimin e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny për dënimin me burg.

Navalny është dënuar me dy vjet e tetë muaj burgim për shkelje të një dënimi me kusht, por gjykata supreme ka vendosur që ai do të vuajë 2 vjet e gjysëm.

Më herët, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi që Rusia duhet të lirojë nga burgu kreun e opozitës ruse Alexei Navalny.

Autoritetet ruse nuk e kanë komentuar vendimin e GJEDNJ – gjykata ndërkombëtare e Këshillit të Evropës, forumi kryesor i Evropës për të drejtat e njeriut, anëtare e të cilit është Rusia.

Rusia miratoi vitin e kaluar një ligj që i jep legjislacionit të saj kombëtar përparësi ndaj traktateve ndërkombëtare dhe vendimeve nga organet ndërkombëtare në rastet kur ato bien ndesh me kushtetutën ruse.

Burgosja e Navalnyt ka nxitur protesta të mëdha në gjithë Rusinë. Shumë shtete perëndimore kanë dënuar burgosjen dhe helmimin e tij, për të cilin janë fajësuar agjentët e sigurisë.

 

Shpërndaje te miqtë