Gjermania mund të lehtësojë kufizimet anti-Covid para pranverës

exit.al 4 Shkurt 2021, 23:05

Gjermania mund të lehtësojë kufizimet anti-Covid para pranverës, në rast se numri i të infektuarve do të vijojë të ulet.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn deklaroi të enjten se vendi ‘nuk mund të qëndrojë në karantinë të plotë gjatë gjithë dimrit’.

Por ai theksoi se ky vendim varet nga numri i të infektuarve të rinj dhe pacientëve të shtruar në spitale.

Numri i infeksioneve të reja dhe i pacientëve në kujdes intensiv kanë rënë vazhdimisht që nga fillimi i vitit, një trend që Spahn e quan "inkurajues".

Gjermania hyri në një karantinë të pjesshme në nëntor, duke mbyllur baret, restorantet dhe mjediset kulturore dhe sportive. Në mes të dhjetorit, qeveria vendosi dhe mbylljen e shkollave e dyqaneve jo-thelbësore teksa në Europë nisi të shpërhapej dhe varianti britanik i Covid-19.

Kancelarja Merkel dhe udhëheqësit e 16 landeve të Gjermanisë do të takohen të mërkurën e ardhshme, për të vendosur nëse do t’i lehtësojnë apo do të zgjasin kufizimet edhe përtej 14 shkurtit.

Shpërndaje te miqtë