Futbollisti shqiptar feston 20-vjetorin duke mundur Juventusin

exit.al 9 Shkurt 2020, 10:58

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare Marash Kumbulla, festoi të shtunën mbrëma datëlindjen e tij të 20-të duke zhvilluar një ndeshje fantastike kundër Juventusit. Në ndeshjen Verona-Juventus, ai fillimisht realizoi gol me kokë, por ky gol u anulua për pozicion jashtë loje, i pikasur nga video-asistenca. Situata u bë e vështirë në minutën e 65-të kur pas një dueli me Ronaldon, Rahmani nuk mundi ta ndalë dot portugezin së shënuari. Me rezultatin 0-1 trajneri Juriç i Veronës hodhi në fushë Pazzinin. Me një sulmues më shumë Verona u bë më kërkuese. Pas një gafe në mbrojtje Borini gjeti hapësirë dhe arriti të barazojë në minutën e 76-të. Por nuk mbaroi këtu. Rreth 10 minuta më vonë, pas një goditje nga këndi, Marash Kumbulla goditi me kokë, topi u devijua me dorë nga Bonucci aq sa të përplasej në traun e portës. Dëshpërimi i 20-vjeçarit u kthye në gëzim pasi gjyqtari iu referua video-asistencës për të dhënë penallti për Veronën. Nga njëmbëdhjetëmetërshi Pazzini u tregua i saktë dhe Verona arriti kështu të përmbysë Juventusin. Ata nuk fitonin ndaj bardhezinjve që prej vitit 2016. Kumbulla u vlerësua me notën 8 nga redaksia e Eurosport – më shumë se të gjithë.

“I sigurtë në prapavijë, nuk gabon asgjë. Kur del përpara bën maksimumin. Vetëm një pozicion jashtë loje prej milimetrash i mohoi golin, por në finale fitoi penalltinë vendimtare pasi detyroi Bonuccin të prekte topin me dorë.”

Kjo është humbja e dytë për kampionët e Italisë në transfertë pas asaj të pësuar me Napolin në fund të janarit ndërsa Verona ëndërron tashmë Evropën. Me këtë ndalesë Inter e Lazio kanë mundësi t’i afrohen kreut. Juventusi ka 54 pikë ndërsa dy skuadrat e tjera 51 dhe 50. https://www.youtube.com/watch?v=3qea9-CfdAE