FMN: Qeveria Rama nuk është konsultuar me FMN për "1 miliardë euro" me PPP

exit.al 4 Shkurt 2017, 17:51

Jens Reinke, përfaqësusi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, mohoi konsultimin paraprak të Qeverisë Rama me FMN për projektin “1 miliardë euro”.

Projekti “1 miliardë euro” u prezantua pak ditë më parë nga Kryeministri Rama dhe parashikon investime infrastrukturore për mandatin e ardhshëm, të bëra me Partneritete-Publike-Private (PPP).

Në një intervistë për gazetën Monitor, përfaqësuesi i FMN-së Reinke shprehet:

  • PPP-të janë një formë për të financuar investimet. Ne kemi patur konsultime intensive për përdorimin e tyre në parim dhe marrëveshja vlen edhe për çdo projekt nën ombrellën 1 miliard dollarë, e cila nuk ka qenë temë e diskutimeve tona.

  • Është e rëndësishme të merret parasysh se jo gjithmonë PPP-të janë mënyra më efektive nga pikëpamja e kostos për të financuar investimet publike. Financimi i projekteve nëpërmjet PPP-ve nuk duhet bërë kurrë për arsyen e vetme që ato të mbahen jashtë bilancit

  • Projektet që zbatohen si PPP duhet të kalojnë nëpërmjet të gjithë vlerësimeve dhe prioritizimeve, ashtu si të gjitha investimet e tjera publike që ndërmerren.

  • Përveç kësaj, qeveria duhet të vlerësojë dhe kostot fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga subvencionet apo garancitë që shoqërojnë PPP-të.

  • Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.

  • Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjitha angazhimet të dokumentohen në një mënyrë të plotë në kontrata të zbatueshme dhe që ekspertët fiskalë të kryejnë analiza të kujdesshme për rreziqet dhe kostot e ardhshme

Shpërndaje te miqtë