
Mbi një mijë qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për t’u punësuar si hetues në SPAK e BKH.
Ndërsa thirrjes së qeverisë për punësim në Agjencinë për Media dhe Informim iu përgjigjën 250 të rinj.
Kryeministri Edi Rama e quajti këtë një sukses.
“Dhe këtu lind pyetja e madhe: Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me ‘agjencinë e propagandës së regjimit’?”, u shpreh zoti Rama në Facebook.
Por, nëse u referohemi aplikimeve të mbërritura në SPAK, duket se shqiptarët kanë pasur shumë më tepër dëshirë të punojnë me strukturat që hetojnë ministrat e qeverisë — dhe ndoshta një ditë edhe vetë kryeministrin — sesa me ato që pastrojnë imazhin e tyre nga hetimet e SPAK-ut.
Qeveria dhe SPAK-u i hapën në mes të gushtit thirrjet për vende të lira pune.
Për t’i bërë jehonë nevojës për influencues dhe propagandues, u angazhua vetë kryeministri Rama, i cili e publikoi më shumë se një herë në faqen e tij në Facebook thirrjen për punësimin e të rinjve në Agjencinë për Media dhe Informim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mjaftua vetëm me një njoftim publik në Facebook, përmes të cilit hapi thirrjen për punësimin e 40 hetuesve në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Shifrat ndoshta nuk tregojnë shumë. Por ato i japin një përgjigje pyetjes së kryeministrit: dëshira për t’u bërë pjesë e “agjencisë së propagandës” ekziston, por dëshira për të hetuar korrupsionin është shumë më e madhe.
Për një qeveri me shumë ministra e zyrtarë nën hetim, nuk është ky lajmi që propaganda do të dëshironte të përhapte.
