“Së pari, jam shumë krenar për Tiranën, për atë që kemi arritur sot: të qenit një nga qytetet model, i cili në një kohë shumë të shkurtër ka bërë përparimin më të madh kur vjen puna për mbjelljen e pemëve, krijimin e korsive të biçikletave, vendosjen e biçikletave të përdorshme nga të gjithë, testimin e autobusëve elektrikë, që po i fusim si flotë këtë vit, apo shumë prej ndërtesave, të cilat i kemi veshur me kapotë, për të ulur shpenzimet e energjisë”.
Forumi i Mjedisti, jo aq i ndryshëm nga tryezat e Gjenovës më sipër, është një mbledhje profesionistësh, vendimmarrësish të niveleve të ndryshme dhe të interesuarish, që ka për qëllim shkëmbimin e ideve dhe qasjeve për ngritjen e qyteteve rezistente ndaj ndryshimeve klimatike. Paçka se Kryetarit të Bashkisë i është dhënë patjetër mundësia të thotë fjalën e tij, qoftë edhe për t’u prezantuar, ai nuk është përfshirë në listën zyrtare të folësve mbi temat që janë trajtuar në agjendën triditore të takimit. Më e rëndësishmja është që Tirana nuk është veçuar nga qytetet e tjera, nuk ka asnjë përmendje të saj apo të kryebashkiakut si shembull suksesi dhe as është “vlerësuar” nga gjithë Europa. Tirana është thjesht një qytet pjesëmarrës në një ndër forumet europiane, që për nga vetë përkufizimi organizohen për të adresuar probleme. Citojmë: “Ky forum ka për qëllim të përmirësojë të kuptuarit e sfidave me të cilat përballen qytetet, dhe se çfarë do të thotë që një qytet t’i përshtatet dhe të jetë rezistent ndaj klimës, duke eksploruar pse (dhe si) përshtatshmëria ndaj klimës mund të jetë një prioritet për institucionet e reja të BE-së.” Bashkia Tiranë ka premtuar se do të përmbushë kuotën e BE-së për reduktimin e gazrave serë në masën 40% deri në vitin 2030. Le të hidhemi te Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Beograd më 4-6 prill, ku zoti Veliaj ka folur për të gjitha arritjet në fushën digjitale. Sipas tij, “Tirana u vlerësua si një nga modelet që ka bërë më shumë në këtë drejtim”. E pra, sërish, duke parë agjendën shumë të ngjeshur të këtij aktiviteti, nuk u vërejt ndonjë nderim i veçantë për Tiranën. Zoti Veliaj i ka përmbledhur gjithë arritjet digjitale gjatë kohës që i ishte caktuar të fliste prej 15 minutash. Në faqen zyrtare të aktivitetit nuk i është kushtuar hapësirë e veçantë as Tiranës dhe as Kryetarit tonë të Bashkisë. Për t’u mbushur mendjen ndjekësve të tij se “sukseset” imagjinare në teknologjinë e informacionit po marrin njohje ndërkombëtare, zoti Veliaj shpalli se Samiti i ardhshëm Digjital i Ballkanit Perëndimor është “zgjedhur” të mbahet në Tiranë. Duhet të vëmë në dukje se ky samit organizohet në kuadër të Procesit të Berlinit, një proces kryesisht politik për integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, megjithëse këtë vit u organizua në Serbi dhe vitin që vjen do të vijë në Shqipëri, e sigurt është që ai do të organizohet në çdo vend të Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka të bëjë me zgjedhje apo suksese. E njëjta skemë u ndoq edhe në “Samitin e Kryeqyteteve 2019”, që u mbajt javën e shkuar në Sarajevë, ku zoti Veliaj tha se projekti që u vlerësua më shumë ishte ai i 17 shkollave, dhe më pas vijoi në mënyrë shumë të leverdisshme ta lidhte këtë me protestat e studentëve pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës kundër gllabërimit të një tjetër hapësirë të gjelbër. Këto nuk janë herët e vetme që Kryetari i Bashkisë ka shtrembëruar pjesëmarrjen në aktivitete europiane, duke i bërë të duket sikur ai ka marrë çmime nga juri ndërkombëtare dhe ka lënë pas vende të tjera. Një vit më parë, ai deklaronte se “Tirana 2030” ishte vlerësuar nga arkitektët gjermanë si një plan për t’u marrë shembull nga vendet e tjera për planifikimin urban. Në fakt, ai i referohej konferencës së përvitshme Architechture Matters 2018 të Mynihut, që është “një konferencë vjetore ndërkombëtare për të ardhmen e arkitekturës dhe qyteteve, që bashkon të gjithë aktorët kryesorë – nga arkitektura, pasuritë e patundshme, industria, politika dhe shoqëria. Një platformë provokuese për kuriozët dhe guximtarët, që eksploron utopitë urbane dhe vizionet sipërmarrëse. Me ligjërata, panele diskutimi, muzikë, punëtori, shfaqje, darka dhe gjëra të tjera të habitshme.” Çuditërisht, nuk gjetëm askund ndonjë shenjë të “vlerësimit” që iu bë Tiranës, përtej prezantimit të Planit Urbanistik të saj nga zoti Veliaj, dy javë pasi qytetarët e Tiranës morën vesh se në qendër të qytetit do të ndërtoheshin 17 kulla me mbi 30 kate. Jo vetëm vitin e shkuar, por në asnjë nga edicionet e mëparshme të kësaj konference nuk janë nderuar pjesëmarrës apo qytete. Nga sa kuptuam nga shkëmbimet tona me agjencinë organizatore Plan A, arkitektët gjermanë nuk e njohin planin “Tirana 2030” përtej prezantimit të përciptë të zotit Veliaj dhe as nuk e kanë vlerësuar atë plan si ekspertë të fushës. Sipas zyrës së shtypit të Konferencës, Kryetari i Bashkisë e ka konsideruar planin urbanistik nga ana e vet si shembull se si “kapërcehet apatia politike, duke inkurajuar angazhimin qytetar, si plani i zhvillimit urban, i cili synon të frenojë zgjerimin e egër të qytetit dhe që përfshin mbjelljen e dy milionë pemëve. Në këtë mënyrë ai frymëzon dhe motivon për të guxuar më shumë transparencë dhe dialog.” Pra, sado mbresëlënës të ketë qënë prezantimi i planit urban “Tirana 2030”, përdorimi i zhargonit të duhur nga Bashkia si “anagazhim qytetar”, “pemë” apo “dialog”, është tregues se Bashkia Tiranë është e vetëdijshme për qasjet dhe drejtimin kah të cilit ka lëvizur planifikimi urban i vendeve të zhvilluara. Asaj thjesht i mungon vullneti për të zbatuar një planifikim urban, ku qytetarët jo vetëm informohen, por japin kontributin e tyre. Ndoshta sepse ky lloj planifikimi nuk është aq fitimprurës sa lëshimi i lejeve të ndërtimit pa kriter. Duke parë pohimet dhe interpetimin e veprimatarive ku merr pjesë Zotit Veliaj është e lehtë të zbulosh qasjen e tij për manipulimin e realitetit për t'u vetëlëvduar. Në çdo veprimtari jashtë vendit, Kryetari merr pas vetes një skuadër të marrëdhënieve publike, të cilës i jep një deklaratë, e cila tenton të japë përshtypjen se ai po prononcohet për media ndërkombëtare që janë të “interesuara” për arritjet e Tiranës. Kjo gjë tradhëtohet nga mungesa e ndonjë gazetari, nga e folura në gjuhën shqipe në një aktivitet jashtë shtetit, dhe nga mungesa e logove. Përgjithësisht, çdo aktivitet u kërkon pjesëmarrësve që t’u dërgojnë një biografi të shkurtër, ku të përmbledhin arsimimin, profesionin dhe eksperiencat më të rëndësishme profesionale. Në ndryshim nga pjesëmarrësit e tjerë, zoti Veliaj e përdor jetëshkrimin për t’u vetëlëvduar e për të shprehur konsiderata tejet të larta për punën e tij. Përveçse mund të konsultohen në ndërlidhjen e Eurocities, në faqet 13-19, më poshtë po sjellim prezantimin e zotit Veliaj në kontrast me atë të homologes së tij, Kryetares së Bashkisë së Torinos, zonjës Chiara Appendino. Erion Veliaj për veten:“Erion Veliaj u zgjodh si kryebashkiaku i 42-të i Tiranës në qershor të vitit 2015. Para mandatit të tij, Veliaj shërbeu si deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 deri në vitin 2015. Në atë kohë, ai nisi reforma gjithëpërfshirëse për pensionet, pagesat e ndihmës sociale, mundësitë e punësimit dhe arsimin profesional. Veliaj strukturoi për herë të parë degët e Partisë Socialiste në shtetet ku banon diaspora shqiptare kontribuoi me sukses në organizimin e procesit të votimit të emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2013. Para se të bashkohej në radhët e Partisë Socialiste në vitin 2011, Veliaj pati një përvojë të gjatë si udhëheqës dhe themelues i lëvizjes “MJAFT”, një organizatë qytetare që fitoi popullaritet shumë të madh me metodat e saj të novatore të protestës paqësore. Veliaj ka diplomë Master në Integrimin Evropian nga Universiteti i Sussex-it dhe diplomë Bachelor në Shkencat Politike nga Universiteti Shtetëror i Grand Valley-it.”
Chiara Appendino për veten:“Kryebashkiake e Torinos qysh nga qershori 2016, ajo ka shërbyer si anëtare e Këshillit Bashkiak dhe si Zëvendës-Kryetare e Komitetit të Buxhetit të Qytetit të Torinos gjatë pesë viteve të mëparshme. Është diplomuar në Menaxhim Ndërkombëtar dhe Ekonomi dhe ka edhe një Master në Auditim Menaxhimi dhe Planifikim, të dy të fituar nga Universiteti “Luigi Bocconi” në Milano. E lindur në vitin 1984, ajo ka punuar për gjashtë vite në firmën e familjes së saj si Menaxhere Financiare dhe më parë ka qenë Kontrolluese në Juventus Football Club S.p.A”.
Në Samitin Digjital në Beograd, Kryetari i Bashkisë madje mburret për rinovimin e Sheshit Skënderbej dhe çmimin europian për hapësirat publike, ndonëse ky projekt u vlerësua vetëm si “ hapësira më e madhe për këmbësorë” e krijuar dhe nuk u vlerësua aspak projekti në tërësi. Po aty, zoti Veliaj i mvesh merita vetes për aftësinë për të menduar dhe prodhuar një ide, më saktë projektin e Pyllit Orbital, që sapo ka filluar dhe për të cilin nuk ka asnjë dokument formal se si menaxhohen donacionet dhe sa është numri i pemëve të mbjella. Çdo profesionist e di që këto “ndjeshmëri” për sukseset vetjake nuk kanë vend në jetëshkrim. Për t’u përmendur është që Kryetari i Bashkisë, edhe në momentet e “fitoreve”, e ka të vështirë të mos përmendë kritikët e tij. Po ashtu, duke “fryrë” figurën e tij dhe duke shtrembëruar informacionin mbi vlerësimet e kalibrit ndërkombëtar, ai kërkon të krijojë iluzionin e politikanit vizionar modern, por edhe të zhvlerësojë kritikët e tij si “delirantë ambiciozë”, që nuk i përballojnë dot këto suksese. Kjo na bën të mendojmë se “dështakët” e “delirantët” nuk janë problemi, por frika se mes tyre ka edhe njerëz profesionistë, të aftë për të kontrolluar faktet që Kryetari i Bashkisë prezanton. Si përfundim, hulumtimi ynë i shtrirë në kohë ka treguar se asnjë grup ekspertësh nuk ka marrë përsipër të studiojë dhe vlerësojë planin urban, projektet apo reformat revolucionare të zotit Veliaj dhe, si rrjedhim, çdo deklaratë e bërë në konferenca ndërkombëtare lëshohet në nivel parimor. Të vetmet vlerësime që zoti Erion Veliaj ka marrë në tryezat ndërkombëtare janë ato të cilat vetë zoti Erion Veliaj ia ka atribuuar Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Tirana vazhdon të renditet midis qyteteve më të ndotura, më të shtrenjta e më të pajetueshme në Europë dhe këtë nuk e thonë “delirantët”, por kompani prestigjoze si Mercer, që çdo vit masin me profesionalizëm cilësinë e jetës në planet. Shpërndaje te miqtë
