Fshesa mbi bashkitë, reformë vërtetë administrative apo politike?

Bledar Zaganjori 31 Korrik 2026, 14:30

Fshesa mbi bashkitë, reformë vërtetë administrative apo

Ditën që Edi Rama paraqiste në Tiranë projektin e "rilindjes spektakolare" të industrisë ushtarake shqiptare, 120 kilometra më në jug të kryeqytetit po “vdiste” qyteti simbol i industrisë ushtarake të gjashtë dekadave të së shkuarës.

Projekti i reformës së re territoriale, i paraqitur nga Partia Socialiste në Kuvend, e shkrin Poliçanin si bashki më vete, së bashku me 14 bashki të tjera të vogla.

Fshesa mbi bashkitë, reformë vërtetë administrative apo

Nga 61 bashki që dolën nga reforma territoriale e vitit 2014, me reformën e tanishme parashikohet që numri i bashkive të zbresë më tej në 46 të tilla.

Njësoj si në vitin 2014, edhe kjo reformë synon të rrisë efikasitetin financiar dhe të përmirësojë shërbimet bashkiake.

Ekspertë dhe politikanë thonë se reforma e vitit 2014 dështoi në të dyja këto prioritete. Administrata e bashkive, në vend që të ulej, u rrit ndjeshëm; shërbimet u bënë më të shtrenjta dhe qasje tek to u vështirësua për shumë banorë—shumë prej tyre u duhet të udhëtojnë deri edhe në dy orë për të marrë dokumente apo për kryer punë në zyrat e bashkive.

Zvogëlimi i mëtejshëm i numrit të bashkive duke shkrirë ato më të voglat pritet të sjellë kundërshti nga banorët e tyre dhe, me gjasa, kosto politike për shumicën socialiste, që po përballet tashmë me një protestë të përditshme përpara zyrës së Kryeministrit Rama.

Reagimi i parë erdhi nga Poliçani, bashkia emblematike që dikur u krijua artificialisht si entitet administrativ.

Qyteti i Poliçanit lindi nga hiçi diku në vitin 1961, kur regjimi komunist i asaj kohe vendosi të ngrinte një uzinë të prodhimit të armatimeve në një territor të fshehur mes maleve e kodrave.

Uzina filloi punë në vitin 1964, dhe kjo u bë baza e ndërtimit të një qyteti që arriti të kishte deri në 11 mijë banorë.

Sot Poliçani si bashki ka më pak se 8 mijë banorë — përfshirë qytetin dhe dy njësi administrative në varësi të tij — për shkak të emigrimit masiv të popullsisë dhe mungesës së perspektivës ekonomike si pasojë e mbylljes së kombinatit mekanik.

Banorët e mbetur jetojnë me bujqësinë dhe tregtinë, për aq sa një zonë e harruar mund të mbajë në jetë një qytet të ndërtuar artificialisht mbi një industri ushtarake që nuk ekziston më.

I quajtur qytet fantazmë, pasi për shumë kohë pas krijimit ai nuk përfshihej as në hartat zyrtare sepse përbënte sekret ushtarak, ai tani nuk do të ekzistojë sërish në hartat administrative të Republikës së Shqipërisë, duke iu bashkuar si njësi një bashkie tjetër.

Me t'u bërë publik vendimi për shkrirjen e tij, ai ka shkaktuar revoltë në qytet, ku kryetari lokal i PS-së ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste dhe mbështetësit e kësaj force politike në mënyrë demonstrative kanë djegur kartat e anëtarësimit në PS.

Fshesa mbi bashkitë, reformë vërtetë administrative apo

I konsideruar si bastion i të majtës në jug të vendit, kjo është revolta e dytë në Poliçan.

E para ka ndodhur në vitin 1992, ku mijëra punëtorë të udhëhequr nga sindikatat në atë kohë dolën kundër planeve të qeverisë së parë demokratike për shkurtimin e vendeve të punës.

Protesta që nisi për shkaqe ekonomike u shndërrua në revoltë politike dhe Ilir Meta, i zgjedhur deputet në këtë zonë për Partinë Socialiste, provoi për herë të parë përballjen me drejtësinë dhe heqjen e imunitetit si organizator i protestës.

Në atë kohë qeveria u detyrua të bënte kompromis me sindikatat dhe ky kompromis shënoi mbylljen e protestës.

Sot Poliçani ndoshta nuk ka një përfaqësues të mirëfilltë të tij në Kuvend dhe ndoshta kjo është arsyeja që u hoq nga lista e bashkive, ndërsa bashki të tjera, njësoj të vogla por të përfaqësuara me deputetë në Kuvend, e ruajtën statusin e tyre.

Historia e Poliçanit është e ngjashme me 14 bashki të tjera që, sikur u krijuan, ashtu edhe po shuhen. Si Poliçani, Fushë-Arrëzi, Patosi, Dimali (ish-Ura Vajgurore), etj. po zhduken si bashki për shkak se është zhdukur edhe arsyeja që i krijoi.

Ndoshta jo vetëm për këtë. Ndoshta edhe sepse në llogaritjet elektorale socialiste ato vlejnë më shumë si pjesë e bashkive të mëdha.

Shpërndaje te miqtë