Fatmir Limaj kërkon shkarkimin e Donika Gërvallës

exit.al 6 Maj 2021, 16:16

Kreu i partisë Nisma Socialdemokrate të Kosovës, Fatmir Limaj, kërkoi të enjten shkarkimin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Në një deklaratë për shtyp, Limaj akuzoi Gërvallën se ka shndërruar qëndrimet e saj private kundër UÇK-së, në politika zyrtare.

"Qëndrimet personale të çdo individi hyjnë në kuadër të të drejtave të njeriut për të shprehur lirshëm mendimin e vet.

Mirëpo, kur një person që vazhdimisht ka vjellë vrerë kundër luftës çlirimtare dhe bartësve të kësaj lufte merr funksion shtetëror për të përfaqësuar Kosovën në marrëdhënie me jashtë, gjërat ndryshojnë!," u shpreh Limaj.

Ai shtoi se nëse Gërvalla nuk shkarkohet atëherë "politika anti-UÇK është politikë zyrtare e kësaj qeverie."

Më herët, Partia Demokratike e Kosovës, kërkoi shkarkimin e Gervalla-Scwarz në Kuvend, për shkak të qëndrimit të saj për hetimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me qendër në Hagë në një intervistë të transmetuar në 2017.