Brataj: Numri i të infektuarve me Covid-19 mund të rritet në korrik

exit.al 2 Korrik 2020, 09:57

Numri i të infektuarve me Covid-19 në vend pritet të rritet në korrik, si pasojë e hapjes totale të vendit në qershor. Drejtori  i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një intervistë për Report Tv, deklaroi se rritja e shifrave në qershor erdhi si pasojë e hapjes së një pjese të bizneseve në maj, por se në korrik shifrat pritet të rriten pasi tashmë i gjithë vendi është hapur dhe qytetarët po tregohen më pak të kujdesshëm:

‘Këto infeksione janë marrë në muajin maj, inkubacioni dhe sëmundshmëria është si pasojë e lirimit të masave në maj. Ndërsa hapjen e qershorit do ta shohim në korrik.

E keqja më e madhe është se njerëzit nuk e besojnë dhe nuk marrin asnjë masë. Kjo është më keq, sepse vazhdohet edhe tani që është rritur mundësia e transmetimit dhe pakujdesia është rritur më shumë detyrimisht do të ketë më shumë të infektuar.’

Brataj po ashtu tha se në qershor pothuaj është dyfishuar numri I thirrjeve në Urgjencën Kombëtare nga qytetarë që dyshojnë se kanë simptoma të Covid-19. Kreu i Urgjencës i bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdessëhm, të mbajnë maska në ambiente të mbyllura dhe të ruajnë distancimin fizik si e vetmja mënyrë për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të familjarëve nga Covid-19.

‘Maska në ambiente të mbyllura është e detyrueshme. Është diksutuar disa herë janë përgatitur protokollet për këtë. Masakt në ambientet e brendshme të bizneseve janë të detyruara.’

Shpërndaje te miqtë