Biden i bën thirrje Serbisë të njohë Kosovën

exit.al 7 Shkurt 2021, 15:00

Presidenti i SHBA Joe Biden i ka kërkuar Serbisë që të njohë Kosovën.

Në një letër drejtuar Presidentit Serb Aleksandar Vuçiç të premten, Biden uroi Serbinë për ditën e saj kombëtare në 15 Shkurt.

"Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të bëni hapat e fortë përpara për të arritur atë qëllim - duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë," shkroi Biden në letër botuar nga media serbe dhe shqiptare të dielën.

Si reagim ndaj mesazhit, Vuçiç u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën por ajo nuk do ta njohë atë, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ai tha se kjo kërkesë është një politikë e re nga Shtetet e Bashkuara, e cila nuk gjendet në asnjë dokument ndërkombëtar dhe të cilën ai e respekton, sikurse respekton edhe pozicionet e Rusisë dhe Kinës që kundërshtojnë të njohin Kosovën.

Vuçiç u zotua të mos nënshkruajë asnjë dokument që njeh Kosovën.

Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.

Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.

Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.

[caption id="attachment_127885" align="alignnone" width="900"]biden letter serbia kosovo vucic biden letter serbia kosovo vucic[/caption]

Shpërndaje te miqtë