“Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona.
Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne. Rruga e të dëgjuarit, rruga e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve.
Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart.
Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t'ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll.”
Zoti Basha tha se nuk do të lejojë askënd që ta pengojë të dëgjojë problemet e bashkëqyetarëve të tij dhe të përpiqet t'i ndihmoj ata, pasi për këtë arsye ka zgjedhur të jetë në shërbim të qytetarëve. Kujtojmë se dje Lulzim Basha vizitoi mbasditen e djeshme ambientet e godinës 4 në Qytetin Studenti, së bashku me disa studentë. Pasi hyri brenda godinës, një punonjëse i ka kërkuar atij dhe studentëve shoqërues të dalin jashtë. Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj tha më vonë se vizita ishte bërë pa leje dhe se Basha ka ushtruar dhunë mbi recepsionisten e godinës.“Për çfarë futesh me dhunë në konvikt? E para e punës, jo, s’ke të drejtë, se po ashtu i bie që çdo lac, çdo rrugaç, çdo trafikant, të futet dhe shkon te secila dhomë gocash, për qefin e vet. “Unë jam lideri i opozitës”. E çfarë pastaj? Po kur vjen laci i radhës edhe futet nëpër konvikte, domethënë një njeri që nuk njeh autoritetin e shkollës, zihet me pastrueset e konvikteve, edhe me recepsionistën. Kush është student dhe ka qenë në konvikte e di fare mirë se ai rregull është vendosur për të ruajtur integritetin sidomos të vajzave në ato konvikte”
Bashkia Tiranë paditi në polici Lulzim Bashën dhe katër shoqëruesit e tij për shkelje të rregullave. PD sqaroi për qytetarët se mes Lulzim Bashës dhe recepsionistes së godinës ka pasur një bashkëbisedim normal dhe jo dhunë siç pretendon Bashkia.
