Basha mbështet reciprocitetin e targave të Kosovës ndaj Serbisë

exit.al 21 Shtator 2021, 22:20

Kreu i PD Lulzim Basha mbështet vendimin e qeverisë së Kosovës për masa reciproke ndaj Serbisë për qarkullimin e automjeteve dhe dënon qëndrimin e Beogradit i cili ka kërcënuar me masa ekonomike dhe politike.

Në një reagim në Twitter Basha shkruan se Kosova është në të drejtën e saj si shtet sovran për vendimin e marrë.

“Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti”.

Sipas Bashës, qëndrimi i mbajtur nga presidenti Vuçiç tregon se ai nuk ka vullnet bashkëpunimi për rajonin siç zotohen nën nismën Ballkani i Hapur.

Ndryshe nga kreu i opozitës, kryeministri Rama reagoi më herët për situatën e krijuar duke i propozuar palëve të dialogojnë për të zgjidhur problemin.

Rama thekson se Kosova ka të drejtë, por duhet të shmangë ngrirjen e konfliktit.

Ndërkohë, më herët të martën presidenti serb Vuçiç njoftoi se kishte refuzuar një kompromis të propozuar nga BE-ja, duke kërkuar tërheqjen e Kosovës nga komunat me shumicë serbe në veri.