Balla vlerëson depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve thelb të reformës

exit.al 15 Janar 2020, 21:26

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla është shprehur se thelbi i reformës zgjedhore do të jetë depolitizimi administrimit dhe komisioneve me trupë apartiake. Zoti Balla u shpreh rreth reformës zgjedhore në studion e emisionit Opinion në News24. Fillimisht ai vlerësoi momentin dhe marrëveshjen e arritur me opozitën për të dialoguar reformën jashtë parlamentit. Më pas tregoi për disa detaje që parashikohen nga diskutimet:

“Kemi një moment të cilin duhet ta shfrytëzojmë, koha e përcaktuar është 15 marsi dhe ky afat ku ne duhet ta kemi miratuar fazën e parë të reformës zgjedhore që lidhet me transpozimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në amendamente të kodit.”

Deputeti socialist iu shmang pyetjeve nëse qeveria kishte kohë që e diskutonte marrëveshjen e arritur me opozitën.

“Nuk është e rëndësishme për shqiptarët se si u arrit marrëveshja por thelbi. Jemi shumë pranë, një hapi shumë vital për të hequr dorë nga sistemi i vjetër i mënyrës së administrimit të zgjedhjeve. Themeli i kësaj reforme është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. KQZ nuk do të jetë më një monopol administrimi partiak. Është propozim i ekspertëve.”

Zoti Balla tha se ndryshime pritet të bëhen në:
  • formulën se si funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
  • qasja në sponsporizimin në media dhe reklama televizive.
  • mënyra e ankimimit të partive
  • depolitizimin e procesit dhe në administrimin e tij.
Për pikën e fundit, kryetari i grupit parlamentar socialist argumentoi se situatat e bllokimit apo përplasjeve për zgjedhjet nuk ndodhin në BE për faktin “se numëruesit apo komisionerët ishin të emëruar politikisht, urdhëroheshin politikisht”.