Arrestohet Henri Çili, akuzohet për korruptim të gjyqtarëve të çështjes Lazarati

exit.al 28 Shkurt 2020, 11:17

Policia ka arrestuar gjatë natës Henri Çilin, pronari i Universitetit Europian të Tiranës dhe 11 persona të tjerë, të akuzuar për ndikim të paligjshëm tek gjyqtarët për lirimin e dy prej të dënuarve të bandës së Lazaratit.

Prokuroria e akuzon Henri Çilin për falsifikim të dokumenteve, mashtrim edhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm te organet e drejtësisë.

Sipas gazetares Dorjana Bezat për BalkanWeb, Henri Çili dyshohet se i ka premtuar dy prej të dënuarve të çështes Lazarati, Arbion Alikos dhe vëllait të tij, se do të ndërhyjë tek gjyqtari për të lehtësuar dënimin, në këmbim të parave e pronave.

Arbion Aliko është dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.

Bashkë më Çilin janë arrestuar dhe Ilir Korbi, drejtori juridik i UET-së, biznesmeni Sait Fishta, shoferi personal i Çilit  dhe 8 persona të tjerë.

Hetimet janë bërë nga prokuroria e Përmetit dhe kanë nisur në shtator 2019.