Arrestohen një infermiere dhe një shitëse për vjedhje të kartave të identitetit

exit.al 28 Shtator 2021, 11:48

Një infermiere dhe një shitëse u arrestuan nga Policia, për vjedhje të kartave të identitetit dhe përdorimin e tyre për të marrë kredi.

Policia njoftoi të martën se u arrestuan shtetaset E. B., 39 vjeçe dhe O. H., 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.

Sipas hetimeve, shtetasja E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve dhe më pas ia jepte shtetases O. H, e cila i përdorte për të marrë kredi për blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake.

Më pas këto pajisje i shisnin në bashkëpunim me një shtetas tjetër.