Ardit Cela, kandidati i LSI-së akuzon PS-në për vjedhje të mandatit në Berat

exit.al 28 Prill 2021, 14:51

Drejtuesi politik i i LSI për qarkun e Beratit, Ardit Cela akuzoi të martën PS për përvetësim të mandatit të pestë në këtë qark.

"Ne kemi prova dhe fakte që ky mandat i LSI është trasferuar dhunshëm në tavolinë në KZAZ 66 në Berat, ku kutitë e votimit të konstatuara nga grupet e numërimit, të cilat  kanë patur fletëvotimi më shumë se sa votues në mënyrë të dhunshme nga anëtarët e mazhorancës janë quajtur të vlefshme kur ato duhet të ishin të pavlefshme," dekalroi Cela.

Sipas tij, kjo solli transferimin "në mënyrë të dhunshme" të mandatit të LSI-së te shumica socialiste.

Kandidati i LSI denoncoi gjithashtu mbushjen e kutive me vota shtesë në qendrat e votimit numer 3431, 3318 dhe 3445 në qarkun e Beratit.

"Marrja e vendimeve në mënyrë të dhunshme, me forcën e kartonit dhe me fuqinë e pushtetit, që ne miratojmë cfarë të duam, nuk mund të pranohet si fakt," shtoi Cela.

Ai kërkoi rinumërimin e të gjitha votave të qarkut Berat në mbyllje të deklaratës për shtyp.

Burime për Exit News, të ndodhur në KZAZ 66 gjatë numërimit të votave, konfirmojnë konstatimin e një parregullsie në një nga kutitë e fundit.

Sekretari i KZAZ bëri me dije mëngjesin e së hënës se një nga kutitë ishte lënë mënjanë për t'u diskutuar nga KQZ, pasi në të ishin gjendur vota të votuesve që nuk i përkisnin asaj zone.

Njëkohësisht, ishin vota të cilat nuk rezultonin në procesverbalin e KQZ në mbyllje të procesit të votimit.

Pas mbledhjes së KQZ, u mor vendimi për t'i konsideruar votat të vlefshme dhe vetëm pak më vonë, u bë e ditur se PS kishte marr mandatin e pestë në qark.

Burime për Exit News kërkuan koment nga kryetarja e KQZ mbi parregullsinë, por ajo hodhi poshtë versionin e votave të tepërta.

Problemi, tha ajo, ishte në lidhje me dy fletë votimi të ngjitura, nga të cilat njëra kishte vulën dhe tjetra shenjën e votimit.

KQZ u mblodh për të diskutuar dhe vendosi që fletat të konsideroheshin të vlefshme, shtoi ajo.