Apeli Administrativ vendos në favor të Evelina Qirjakos, përcakton se nuk ka dhënë dorëheqje

exit.al 4 Shkurt 2021, 10:08

Gjykata e Apelit Administrativ e ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për rastin e ish gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako.

Gjykata përcaktoi se refuzimi për të shkuar në një pozicion nuk është dorëheqje. Ky vendim do të ketë ndikim në shqyrtimin e rastit të Qirjakos nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Deri më tani, KPA ka mbajtur qëndrimin se kush është larguar nga sistemi gjyqësor e ka të ndaluar të rikthehet në sistem për 15 vite.

KPA pranoi kërkesën e Qirjakos për të pezulluar procesin ndaj saj deri në një vendim të Apelit Administrativ.

Qirjako paditi Këshillin e Lartë Gjyqësor për shkak se i ka hequr statusin e magjistrantes pas dorëheqjes së saj. Qirjako dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë pas përfundimit të mandatit të saj në vitin 2016.

Për këtë arsye KLGJ në prill të 2019 vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për Qirjakon pasi ajo kishte refuzuar caktimin në një pozicion në apel si gjyqtare.

Në korrik të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërprerjen e procesit të vetingut për Qirjakon pasi kishte dhënë dorëheqjen nga detyra.

Gjithashtu KPK vendosi që Qirjako nuk do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet.

Këtë vendim, ish-gjyqtarja e ankimoi në KPA dhe paralelisht hapi në Apelin Admininstrativ një proces kundër vendimit të KLGJ-së që i hoqi asaj statusin e magjistrates.

Ajo ka kërkuar nga KPA shtyrjen e gjykimit deri në një vendim të Gjykatës të Apelit Administrativ pasi pretendon se vendimi i KPK bazohet vetëm në vendimmarrjen e KLGJ-së.

 

Shpërndaje te miqtë