“[…] ne [SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia] përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë... përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”.
Kësaj deklarate të 30 gushtit 2019 i shtohej:“Ne [SHBA-të] nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”.
Deklarata e ambasadës u bë pasi Lëvizja Vetëvendosje (LV) u shpreh të hënën se takimin e radhës me Lëvizjen Demokratike të Kosovës (LDK) do ta zhvillonte me përfaqësues diplomatikë perëndimorë. Më 20 janar Kryetari i LV-së, Albin Kurti, u mandatua nga Presidenti i Kosovës për formimin e qeverisë. Kushtetuta parashikon 15 ditë kohë, por LV nuk i ka numrat e mjaftueshme për t’u votëbesuar në parlament dhe për këtë është përpjekur të bëjë marrëveshje qeverisëse me LDK-në. Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë. Nga zgjedhjet e 6 tetorit LV mori 29 deputetë, ndërsa LDK 28. Palët nuk kane gjetur dakordësi pasi LV votoi Glauk Konjufcën si Kryetar Parlamenti, post të cilin e pretendonte LDK-ja. Nëse deri më datë 5 shkurt nuk sigurohet marrëveshje, atëherë Presidenti i Kosovës mandaton kandidat tjetër me mundësi 10 ditë kohë për të formuar qeverinë dhe nëse kjo nuk ndodh, Kosova shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.
