Ambasada e SHBA mbi vizitën e Palmer, në fokus zgjedhjet dhe reforma në drejtësi

exit.al 6 Prill 2021, 20:39

Ambasada e SHBA në Shqipëri zbardhi takimin virtual të Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer.

Ai u takua me presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së Basha, “për të konfirmuar rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit”, njofton ambasada.

Ai theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë.

Palmer gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi, “duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit”.

Zv. Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21.

Nisma Defender – Europe e krijuar 25 vjet më parë është një stërvitje shumëkombëshe e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), me pjesëmarrjen e NATO-s.

Ajo është stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë me rreth 20 mijë ushtarë të dërguar nga SHBA-të në Evropë. Kjo nisëm u krijua për të treguar angazhimin e SHBA-ve në NATO dhe mbështetjen për vendet aleate në Evropë e jashtë saj.

Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer mbështeti të martën qëndrimet e ambasadores amerikane Yuri Kim.

Ai tha se ajo ka pasur të drejtë se kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri “duhet të jenë të besueshëm”.