“Shpreh keqardhjen dhe shqetësimin shumë të madh sepse Shqipëria rrezikohet në një vendim të dytë negativ për negociatat, pasi tashmë është e qartë që paketa anti-shpifje është agjenda e Edi Ramës për të kapur të gjitha pushtet.
Media është shtylla e fundit e demokracisë që ka mbetur pa u rrëzuar si pasojë e regjimit kriminal e të korruptuar të ngritur nga [Kryeministri] Rama. PD ka shprehur shqetësim në institucionet dhe qeveritë europiane për rrezikun e kthimit të ligjeve të diktaturës që censurojnë lirinë e shtypit dhe u mohojnë qytetarëve të drejën e fjalës dhe të informimit.
Arroganca për të rrëzuar dekretin e Presidentit pa pritur qëndrimin e Komisionit të Venecias tregon frikën që e ka [Kryeministri] Rama […]”
KiE i bëri dje thirrje qeverisë të rishikonte paketën anti-shpifje. Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së i kërkoi Komisionit të Venecias të hartojë opinion ligjor për kushtetueshmërinë e saj. Paketa anti-shpifje u miratua në 18 dhjetor 2019 dhe ndryshon dy ligje të medias. Ndryshimet janë kritikar nga gazetarët, organizatat e mediave lokale dhe ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat politike. Kritikat theksojnë se me ndryshimet në ligje autoritetet shtetërore marrin atribute të gjykatave dhe mund të censurojnë mediat.
