“[…] në mungesë prej më shumë se dy vjetësh të Gjykatës Kushtetuese, në mungesë të Gjykatës së Lartë, në kushtet e një krize sui generis të përfaqësimit ku Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë dhe Këshillat Bashkiakë janë në duart e një force të vetme politike, ashtu si dhe pjesa dërrmuese e organeve të pavarura emëruar nga kjo forcë politike, duke sjellë çekuilibrim të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, vendi ndodhet përpara rrezikut të kapjes totale të shtetit.
Ky kontekst shoqëruar me zbatimin e njëanshëm, antikushtetues dhe në shkelje flagrante të rekomandimeve të Komisionit të Venecias mbi reformën në drejtësi, po zhyt gjithmonë e më shumë vendin në paligjshmëri, antikushtetutshmëri, dhe drejt autokracisë.”
Presidenti thotë se qëllimi i mazhorancës është kapja politike e GJK dhe se kërkesa e drejtuar në dhjetor nga socialistët në KV “kërkon të mbulojë vendimin e shkarkimit të tij nën siglën e Komisionit”. Meta thotë se rrethanat e paraqitura nga socialistët rreth çështjes janë shtrembëruar dhe paraqitur në mënyrë të njëanshme. Letra dërguar Komisionit të Venecias shoqërohet me pyetjet:- Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të rradhës së emërimeve?
- Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të gërmës së Kushtetutës?
- Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?
- Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?
