“Përtej thjesht, ligjit të importit të mbetjeve, për të cilin iniciatorët dhe mbështetësit e këtij ligji gënjyen sistematikisht publikun kur thoshin se ligji është vetëm për riciklim dhe jo për djegje, konstatojmë se shumë vendime të vitit të fundit për ndërtim inceneratorësh, në Fier, Tiranë, Durrës, Korcë, e gjetkë, jo vetëm që janë një strategji (nëse mund ta quajmë kështu) krejtësisht e gabuar për vendin, por duket po ndërtohen në funksion të veprimit antikombëtar të djegjes së mbetjeve të importit.
Nuk mund të mos përmendim se vënia në plan të parë e inceneratorëve shkon në drejtim të kundërt me hierarkinë e prioritit të menaxhimit të mbetjeve sipas parimeve dhe legjislacionit të BE-së, por edhe atij Shqiptar.”
Në fund të letrës, Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar qeverisë “një platformë të menaxhimit të mbetjeve, për një Shqipëri të pastër dhe atraktive, por edhe për një kujdesje më të madhe për shëndetin e qytetarëve.” Ligji i shumë diskutuar i importit të mbetjeve u risoll në Kuvend në qershor 2016, nga maxhoranca socialiste, megjithëse 3 vjet më parë, kur PS sapo erdhi në pushtet, akti i parë i Edi Ramës ishte ndalimi me ligj i importit të plehrave. Importi i plehrave është kundërshtuar gjërësisht nga qytetarët dhe paraqet rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera. Rikthimi i ligjit për shqyrtim në kuvend pritet të shoqërohet me protesta të qytetarëve. Shpërndaje te miqtë
