Kompania e farmaceutikës Trimed shpk, në pronësi të Zonjës Vilma Nushi, ka fituar tendera me vlerë më shumë se 2,2 milionë euro nga gushti deri në nëntor 2016.
Trimed -e njohur për koncesionin e kontrollit falas të popullatës nga mosha 40 - 65 vjeç (Check–Up) - ka fituar më 30 nëntor, tenderin për furnizimin e spitaleve me paisje dhe proteza ortopedike me një vlerë prej 772 mijë euro. Tenderi është pjesë e një projekti të gjerë të qeverisë për furnizimin falas me proteza ortopedike për qytetarët. Ky projekt u bë publik në gusht të vitit 2016.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në një intervistë për Ballkanweb u shpreh se:
Prej muajit shtator 2016 kemi filluar të furnizojmë spitalet tona me protezat ortopedike. Vlerësuam nevojat në bazë të eksperiencës së operacioneve (ku qytetarët i kishin blerë vetë protezat) të kryera në vitin 2015 në tri spitale.Kështu që vendosëm që të fillojmë të financojmë protezat edhe në spitale të tjerë, qoftë për të shkurtuar kohën e pritjes, qoftë për të ofruar shërbim sa më pranë vendbanimit të pacientëve, qoftë për të ulur ngarkesën në spitalet tona kryesore.
Oferta e kompanisë Trimed ishte vetëm 0,1 për qind më pak se vlera maksimale e buxhetit të tenderit.
Në gusht të këtij viti, Trimed fitoi edhe tenderin për protezat ortopedike me vlerën e rreth 1.46 milionë euro. Tenderi i fituar në gusht i dha përparësi kësaj kompanie, duke e bërë të vetmen kompani të kualifikueshme ndër pesë kompanitë pjesëmarrëse në tender.
Me një model tashmë të ditur, katër kompanitë e tjera pjesëmarrëse u skualifikuan sepse nuk dorëzuan në kohë propozimin e plotë.
Oferta e lartë e paraqitur nga kompania Trimed në të dy tenderat e qeverisë dhe mungesa e çdo lloj konkurrenti tjetër tregojnë qartë se procedurat e prokurimit publik nuk përmbushin qëllimin e tyre për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues për të gjithë kompanitë në fushën e shërbimeve të shëndetësisë.
Sipas të dhënave të publikuara në Open Data Procurement Albania, Trimed ka qenë pjesëmarrësja e vetme në rreth gjysmën e tenderave të fituara nga ajo.
Të ardhurat e kompanisë janë rritur ndjeshëm me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama. Pagesat e kryera nga thesari i shtetit për kompaninë Trimed vetëm për këtë vit janë rreth 914 mijë euro.
Shpërndaje te miqtë
