Dje, një grup aktivistësh e artistësh anonimë, të njohur si Çeta, kanë vizatuar nëpër Tiranë portretin e Kryeministrit Rama shoqëruar me akronimin e Partneriteteve Publike Private, PPP. Çeta zgjodhi datën 29 nëntor, festën e çlirimit, për të protestuar kundër sundimit dhe pushtimit që Edi Rama, me anë të PPP-ve, po i bën pasurisë publike.
Aksionin e ditës së djeshme Çeta e ka quajtur "RiLuce-fasada e rilindur e fashizmit". Në deklaratën e tyre, ndër të tjera, shkruhet:
Fashizmi […] është bashkimi i të gjitha forcave sunduese në shoqëri rreth figurës së udhëheqësit suprem. Pra, borgjezët, bankierët, burokratët, gjykatësit, klerikët, mediat, policët dhe gangsterët bëhen bashkë rreth Duçes, të cilit i shërbejnë, i cili u shërben, në kurriz të shtresave të mëdha sociale, përmes dhunës dhe shfrytëzimit. Kjo është historia e fashizmit. E të vjetrit dhe të riut. Sepse fashizmi, si çdo histori, thuhet se përsëritet, herën e parë si tragjedi, të dytën si farsë. Por këtu, tek ne, në Shqipëri, fashizmi është ulur këmbëkryq tjetërsoj, si një farsë tragjike. Si fashizëm i pashpallur.Partneriteti Publik Privat, ose privatja përmbi publiken, është martesa e re e shtetit me biznesin, ku i pari bëhet vegël në dorë dhe në dobi të se dytit. Të drejtat janë dhënë me koncesion. Paraja është bëre zemra dhe arsyeja e çdo marrëdhënieje. Politika është bëre policore dhe policia robotike. Shenjtërohet prona e madhe private duke ç’shenjtëruar deri në mallkim jetën e vogël njerëzore.
Çeta përmend në deklaratën e saj disa nga ngjarjet e fundit që kanë prekur opinionin publik, si vrasja e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, luftën e Bashkisë Tiranë ndaj shitësve ambulantë, largimin e komunitetit rom nga banesat e tyre apo hedhjen e salcës së domates mbi ministren Nikolla si shenjë proteste kundër reformës në arsim.
Për shumëkënd, ky realitet mund të duket distopik, një e keqe e pamundur, një ëndërr e trishtë prej të cilës duhet të zgjohemi, por në fakt është realiteti vetë, përtej flluskave roze të rehatisë dhe arsyetimeve të cekëta.Prandaj, koha është të zgjohemi, të mbajmë anë.
Grupi i artistëve dhe aktivistëve, në fillim të nëntorit, vizatuan kudo në Tiranë- në dyert e Bashkisë, në instalacionin Reja, në parkun e lojërave tek Liqeni Artificial apo dhe në mure e kabina elektrike - portretin e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj.
Po ashtu, Çeta protestoi sërish me artin e saj në maj, kur kryebashkiaku Veliaj kishte nisur fushatën për largimin e shitësve ambulantë nga rruga dhe sekuestronte mallin e kujtdo që nga varfëria dhe papunësia kishte dalë të shiste në rrugë.
Shpërndaje te miqtë
