TVSH ndërpret ceremoninë e lumturimit të martirëve, protestojnë mediat

exit.al 5 Nëntor 2016, 14:46

Shoqatat e gazetarëve reaguan, sot, kundër ndërprerjes së transmetimit të drejtpërdrejtë nga Shkodra të ceremonisë së lumturimit të 38 martirëve nga ana e Televizionit Shqiptar.

Me anë të një njoftimi dërguar të gjitha mediave, ato i kërkojnë institucioneve të vendit të hetojnë dhe të marrin masat e duhura për drejtuesit e televizionit.

"Televizioni publik shqiptar, që si zakonisht në raste të tilla prodhon sinjalin për të lehtësuar konfuzionin që do krijohej nga prania e shumë kamerave të televizioneve të tjera, në mënyrë të njëanshme e me një akt banditesk e injorant, ndërpreu papritur sinjalin për televizionet që po e përcillnin ceremoninë për shikuesit e tyre" — shkruhet në njoftim.

Shoqatat e akuzuan TVSH-në se po e trajton këtë ceremoni si të ishte ceremoni sportive apo shfaqje artistike.

38 martirët fetarë shqiptarë, të vrarë gjatë regjimit komunist, u lumturuan sot në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër.

Ceremonia e lumturimit u kremtua nga kardinali Angelo Amato, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve së Vatikanit.

Papa Françesku i njohu zyrtarisht si dëshmorë 38 meshtarët në prill të këtij viti.

Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të lartë të Vatikanit dhe të vendit.

Shpërndaje te miqtë