Yuri Kim kërkon hetimin e Tom Doshit: Nuk është i pafajshëm

exit.al 23 Mars 2021, 21:37

Ambasadorja e amerikane në Tiranë Yuri Kim kërkoi të martën hetimin e Tom Doshit në një intervistë për ABC.

Reagimi i saj erdhi pas vendimit të KQZ për të mos përjashtuar Doshin nga gara. Tom Doshi po kandidon si deputet në Partinë Social Demokrate në zgjedhjet e 25 prillit.

Ajo tha se Doshi nuk është i pafajshëm dhe prokurorët duhet të bëjnë punët e tyre.

“Mendoj që KQZ-ja ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është s’kualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm”, tha Kim.

Ambasadorja Kim vlerësoi denoncimin që i ka bërë PD kandidimit të Tom Doshit dhe tha se PS duhet të bëjë të njëjtën gjë.

“Dua të them që është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë”, tha ajo.

Për PS ajo tha se “kam krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar çdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi të hënën 12 kandidatë për deputet për një verifikim më të thelluar.

Shpërndaje te miqtë