Vila Sarajet braktiset nga institucionet pas djegies

exit.al 17 Gusht 2021, 09:40

Vila Sarajet është braktisur nga institucionet pasi është djegur një natë më parë.

Vila Sarajet është monument i kulture i kategorisë së parë megjithatë kjo nuk pengoi personat që i vunë zjarrin ta digjnin dhe të largoheshin pavarësisht se vila është në qendër të Tiranës.

Mëngjesin e të martës në vendngjarje ndodhen vetëm dy policë bashkiakë dhe një roje siç ka përcjellë përmes pamjeve në rrjete sociale pedagogu i gazetarisë Ervin Goci.

Asnjë hetues i prokurorisë nuk ndodhej në mëngjes në godinë dhe asnjë përfaqësues i Ministrisë së Kulturës e cila ka përgjegjësi mbi godinën megjithëse ajo nuk është shpronësuar ende.

Madje as pronarët e vetë godinës nuk janë shfaqur.

Sipas Gocit të vetmit persona që hyjnë e dalin nga godina janë dy policët bashkiakë megjithëse Bashkia Tiranë nuk e ka në dorëzim godinën dhe vendi ende cilësohet si skenë krimi.

Policia e Tiranës në njoftimin për djegien e vilës shkruan se është djegur një lokal në rrugën ‘Abdi Toptani’, pavarësisht se ajo ka kohë që nuk funksionon më si e tillë dhe është një nga monumentet më me vlerë të kryeqytetit.