Vetingu, prokurorët Artur Selmani dhe Shpëtim Kurti rrezikojnë shkarkimin

exit.al 22 Nëntor 2018, 18:10

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancën dëgjimore me prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti dhe Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani.

Sipas ILDKPKI, Shpëtim Kurti, kandidat për KLP, nuk ka bërë deklarim te saktë të pasurisë dhe ka kryer fshehje të saj.  Përsa i përket kriterit të pastërtisë së figurës, prokurori është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe dyshohet se ka tendencë të jetë pjesë e krimit. Sipas DSIK-së, ai ka kontakte të papërshtatshme në më shumë se një rast.

Ndërkohë edhe për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Selmani, DSIK ka dalë në përfundimin se është  i pa përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ndaj tij ka pasur ankesë nga familjarët e viktimave në Cole të Vlorës.

Në shkurt 2017, prokurori Selmani u pezullua nga detyra me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shkak të lehtësimit të akuzës për autorin e një masakre me tre viktima në vitin 2015 në qytetin e Vlorës.

Vendimi për dy prokorurët do të merret në ditët në vazhdim.

Shpërndaje te miqtë