Vetëm 3 qarqe në Shqipëri shënuan rritje të lindjeve gjatë 2020

exit.al 19 Shkurt 2021, 21:02

Vetëm tre qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve gjatë vitit 2020 krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë qarqet e tjera pësuan rënie.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, rritjen më të lartë të lindjeve në raport me popullsinë, gjatë 2020 e zë qarku i Lezhës, me 3,3 %, ndërsa rënien më të lartë e zë qarku i Kukësit, me 21%.

Krahasuar me një vit më parë, gjatë 2020, në Shqipëri lindën 1.7% foshnja më pak

Por kësaj rënieje të lindjeve i është shtuar edhe një rritje e ndejshme e numrit të të vdekurve.

Gjatë muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, ndërruan jetë 9.397 qytetarë, duke shënuar një rritje prej 73,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019 ku vdiqën rreth 5 mijë e 400 qytetarë.

Në total, në Shqipëri gjatë vitit 2020 vdiqën 25,8 % më shumë persona. Diferenca me 2019 është rreth 7 mijë humbje jete.

Kjo rritje është e lidhur ngushtë me pandeminë COVID-19 e cila prej marsit ka shkaktuar 1636 viktima sipas shifrave zyrtare.

Rritja e ndjeshme e vdekjeve dhe ngadalësimi i lindjeve ka bërë që shtesa natyrore në Shqipëri të shkojë drejt vlerave negative duke paralajmëruar plakje të popullsisë.

Shpërndaje te miqtë