Veliaj cilëson kauzën e banorëve të Astirit kauzë false partish të lodhura

exit.al 9 Janar 2020, 12:59

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj cilësoi sot kauzën e banorëve të Astirit kauzë false të ngritur nga opozita për të penguar zhvillimin e projekteve të tij për kryeqytetin.

Pas aksionit që Inspektoriat i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) zhvilloi mëngjesin e sotëm pranë Sheshit Shqiponja, kryebashkiaku Veliaj komentoi përmes një postimi në Twitter duke thënë se "kauzat e rreme bien si ngrehinat pa leje". Këtë shprehje e shoqëroi me video nga shembja e një ndërtese 4 katëshe që u bë sot:

https://twitter.com/erionveliaj/status/1215200037929656320

Prej kohësh zoti Veliaj përdor qasje agresive ndaj qytetarëve, të cilët kundërshtojnë projektet e tij, ndërsa ai këmbëngul se do të vazhdojë me zbatimin e tyre pavarësisht kundërshtive. Përveç Unazës së Re, janë kundërshtuar betonizimi i Liqenit Artificial për parkun e lojërave dhe projekti për Teatrin Kombëtar që parashikon shembjen e ndërtesës ekzistuese dhe dhënies për ndërtim privatëve. Këta të fundit përfitojnë tokë dhe leje për ndërtim kullash pas teatrit.

Projekti i zgjerimit të Unazës së Re u bllokua prej më shumë se një viti prej faktit se qeveria nuk merrte përsipër dëmshpërblimin me vlerën e tregut të banorëve që prekeshin nga ndërtimi. Përveç kësaj fakti se një nga fituesit e tenderit te Sheshi Shqiponja rezultoi të kishte aplikuar me dokumente false çoi në anulimin e projektit dhe rikonceptimit të gjithë nyjes hyrëse të Tiranës.