Trajtimi i ri në Britani ul numrin e pacientëve në terapi intensive

exit.al 20 Korrik 2020, 13:59

Kompania farmaceutike britanike Synairgen ka njoftuar se trajtimi i saj i ri për koronavirusin ka ulur numrin e pacientëve të shtruar në Covid-19 që kanë nevojë për terapi intensive.

Trajtimi i kësaj kompanie përdor një proteinë të quajtur ‘beta interferon’, të cilën trupi e prodhon kur merr një infeksion viral.

Proteina dërgohet drejtpërdrejt në mushkëritë e pacientëve me koronavirus, duke përdorur një nebulizator.

Gjetjet fillestare nga trajtimet provë tregojnë se pas terapisë ulen me 79 për qind shanset që një i infektuar të ketë nevojë për terapi intensive.

Pacientët që morën trajtimin po ashtu kishin dy ose tre herë më shumë të ngjarë të rikuperoheshin më shpejt se sa pacientët e tjerë - koha mesatare që një pacient kalon në spital thuhet se është zvogëluar me një të tretën, për ata që marrin ilaçin e ri - nga një mesatare prej nëntë ditësh në gjashtë ditë.

Trajtimi provë u bë në një grup me 101 vullnetarë, të infektuar me Covid-19, që ishin pranuar për trajtim në nëntë spitale në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjysmës së pjesëmarrësve iu dha proteina, ndërsa gjysma tjetër mori atë që njihet si placebo - një substancë joaktive.

Shpërndaje te miqtë